Barazia gjinore
Misioni gjithashtu rrit ndërgjegjësimin për nevojën për të eliminuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje, si dhe angazhohet për të avancuar kapacitetet institucionale dhe të shoqërisë civile në këtë fushë. Misioni udhëheq programe për të përmirësuar qasjen e grave në pronë dhe në të drejtat e trashëgimisë.
Përmes programit të Akademisë së Dialogut për Gratë e Reja, Misioni, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi, trajton marrëdhëniet Prishtinë - Beograd në kontekstin e masave të OSBE-së për ndërtimin e besimit, duke rritur kapacitetet e grave të reja për t'u bërë lidere të ndryshimit si pjesë e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”. Që nga viti 2015, programi ka krijuar një rrjet prej më shumë se 180 Alumnae (të diplomuarave) të cilat po udhëheqin me shembullin e tyre në promovimin e përpjekjeve për ndërtimin e paqes dhe dialogut në komunitetet dhe shoqëritë e tyre.
Misioni punon për fuqizimin e grave dhe promovimin e të drejtave të tyre në sektorin e sigurisë dhe rendit, duke ndihmuar shërbimin policor dhe strukturën e tij drejtuese për të rritur numrin e grave në radhët e tij. Misioni mbështet shoqatat e grave të Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës për të zhvilluar dhe zbatuar strategji që kontribuojnë në rekrutimin, mbajtjen dhe avancimin më të mirë të grave në forcën policore përmes trajnimeve, ndërgjegjësimit dhe mbështetjes strategjike, si dhe nëpërmjet ndihmës në zbatimin e agjendës së sapo zhvilluar të policisë për barazinë gjinore. Për më tepër, Misioni mbështet policinë në kryerjen e hetimeve me ndjeshmëri gjinore në rastet e dhunës në familje dhe në aplikimin e qasjes së policisë në komunitet si mjet vendimtar për të parandaluar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje në nivel lokal.
Misioni gjithashtu mbështet Forumin e Grave Gjyqtare dhe Prokurore për të inkurajuar një sistem drejtësie të larmishëm dhe përfaqësues.