Gjithnjë e më shumë gra të fuqishme në Policinë e Kosovës
Një shërbim i mirë policor duhet të pasqyrojë plotësisht larminë e shoqërisë prandaj gratë duhet të mbajnë më shumë pozita të larta policore, beson kapitene Blerina Matoshi nga Policia e Kosovës.
Matoshi është shefe e Njësisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë Rajonale të Gjakovës në pjesën perëndimore të Kosovës. Ajo u avancua në gradën e kapitenes pas pjesëmarrjes në programin e trajnimit për police të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë që përfshinte edhe një modul trajnimi praktik në Mbretërinë e Bashkuar.
Forcimi i pozitës së grave police ka qenë në agjendën e Misionit të OSBE-së në Kosovë që nga themelimi i Shkollës së Shërbimit Policor të Kosovës, tani Akademia e Kosovës për Siguri Publike, në vitin 1999. Nga viti 2004, OSBE ka mbështetur Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës (ShGPK) në përpjekje për të siguruar që gratë të mos jenë vetëm pjesë e policisë, por të jenë të fuqizuara në mënyrë adekuate për të ndërtuar shërbim policor të balancuar në aspektin gjinor dhe etnik.
“Duke ndihmuar gratë në Policinë e Kosovës të përmirësojnë aftësitë e tyre menaxheriale dhe operative, ne e lehtësojmë udhëtimin e tyre drejt gradave dhe pozitave të larta. Me ShGPK-në kemi organizuar aktivitete të shumta, përfshirë dhjetë trajnime, për të rritur kapacitetet e grave në Policinë e Kosovës dhe për të siguruar që struktura e saj e brendshme të pasqyrojë plotësisht larminë e shoqërisë në Kosovë. Gjithashtu mbështesim krijimin e politikave afirmative për të rritur numrin e grave dhe për të parandaluar ose eliminuar çdo veprim diskriminues", shtoi ai.Numri i grave të përfaqësuara në pozita të larta në Policinë e Kosovës - aktualisht 166 gra në uniformë, që është rreth 10% - është shumë më i ulët se sa numri i dëshiruar. Së bashku me policinë, duam ta ndryshojmë këtë.
Ake Roghe Drejtor i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në Misionin e OSBE-së
Shkëmbim me Policinë e Uellsit Jugor
Së fundmi, Misioni i OSBE-së ka organizuar trajnim praktik në Kardif, Mbretëri e Bashkuar, nga 29 prilli deri më 2 maj 2018, duke i dhënë 13 policeve me grada të larta nga Kosova mundësinë që të mësojnë nga praktikat e homologeve të tyre në Policinë e Uellsit jugor. Si pjesë e pakos së trajnimit të zhvilluar me Policinë e Kosovës dhe ShGPK-në, trajnimi në Kardif u parapri nga dy module pesë ditore të mbajtura në Kosovë, e para për forcimin e aftësive të udhëheqjes dhe e dyta për detyrat operative të komandantëve.Janë përpunuar shumë tema të ndryshme, nga modelet e udhëheqjes, komunikimi e barazia gjinore deri te inteligjenca emocionale dhe menaxhimi i stresit - të gjitha me qëllim të rritjes së aftësive tona si gra udhëheqëse në organizatën tonë.
Laura Krekaj Koordinatore e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjakovë
Koleget police nga Uellsi na kanë dhënë mësime të dobishme, theksoi Mergime Dobra, Shefe e Qendrës Operative Komunikuese në Zyrën Operative Rajonale, po ashtu në Drejtorinë e Gjakovës: “Nikoqiret në Uellsin jugor na dhanë koncepte të shkruara mbi kronologjinë e përgatitjes së planeve operative të mira dhe gjithëpërfshirëse, që ne shpesh i përdorim dhe na shërbejnë si model në punën e përditshme. Trajnimi më ka ndihmuar në gjetjen e qasjes së përshtatshme për zgjidhjen e pakënaqësive apo problemeve me burimet njerëzore brenda njësisë që unë drejtoj”, komenton ajo.
Policet e Kosovës ishin monitoruar nga police me grada të larta në rajone të ndryshme policore në gjithë Uellsin. Kjo u mundësoi që të krijojnë marrëdhënie, duke siguruar që shkëmbimi i njohurive, sukseseve dhe sfidave të vazhdojë edhe pas trajnimit. “Kam takuar homologen time dhe pashë se si funksionon Njësia e Standardeve Profesionale në Kardif. Kjo më dha forcë për t’u bindur që edhe ne bëjmë punë të mirë", tha Matoshi.
Avancimi nëpër grada
Trajnimi në Uells i dha Matoshit, e cila më parë kishte gradën togere, guximin për të aplikuar për avancim, dhe në shtator ajo u bë një kapitene e Policisë së Kosovës. Avancimi ia mundësoi që ta mbajë pozitën e shefes së standardeve profesionale, pasi që me ristrukturimin e fundit në polici, njësia nuk mund të udhëhiqej më nga një togere. “Përvoja jashtë vendit ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në avancimin tim", thotë ajo. Dobra dhe Krekaj po ashtu kane kaluar testin për avancim nga togere në kapitene pas trajnimit, dhe tani janë ne listën e pritjes për pozita të larta.Thellimi i bashkëpunimit
Puna e përbashkët e OSBE-së dhe Policisë së Kosovës rezultoi në një tjetër sukses të madh gjatë vitit 2018. Në dhjetor u nënshkrua protokoll bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Uellsit jugor në forcimin dhe fuqizimin e rolit të grave në polici. Protokoli parasheh rritje të bashkëpunimit dhe shkëmbim të praktikave të mira midis dy organizatave policore.
Misioni do të vazhdojë të mbështesë më shumë gra police përmes një programi trajnimi të ngjashëm që do të realizohet në vitin 2019.
“Përpjekjet e kombinuara të OSBE-së, Policisë së Kosovës dhe ShGPK-së, së bashku me vendosmërinë dhe shkathtësitë e policeve në Kosovë, patjeter do të japin rezultate në rritjen e numrit të grave në grada të larta dhe pozita drejtuese dhe fuqizim të tyre të mëtejshëm", thotë Roghe. “Jam krenar për punën e bërë nga pjesëtarët dhe partnerët e Misionit. Së bashku ne po bëjmë ndryshimin", përfundon ai.