Misioni i OSBE-së në Kosovë
Kush jemi
Si misioni më i madh i organizatës, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon një gamë të gjerë aktivitetesh në fushën e të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sigurisë publike. Misioni është veçanërisht i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve; mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare; monitorimin e gjyqësorit; integrimin e perspektivës gjinore; lirisë dhe zhvillimit të medias; promovimin e mekanizmave kundër diskriminimit; përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike dhe publike; luftimin e terrorizmit dhe kërcënimeve kibernetike; ofrimin e trajnimeve të avancuara për policinë dhe mbështetjen për strategjitë kyçe të policisë dhe sigurisë; si dhe mbështetjen për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Misioni monitoron punën e institucioneve qeveritare, komunale dhe atyre të pavarura, si dhe ndihmon në forcimin e legjislacionit dhe politikave që mbulojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve; anti-diskriminimin; lirinë e shprehjes; barazinë gjinore; si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.