Ambasador Kilian Wahl
Ambasadori Kilian Wahl
Ambasadori Kilian Wahl është ekspert i dalluar në parandalimin dhe menaxhimin e krizave me një përvojë të pasur në lehtësimin e dialogut, reformën e sektorit të sigurisë dhe ndërtimin e institucioneve me theks të veçantë në Evropën Juglindore.
Para se të merrte detyrën si Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup në nëntor 2022, ai shërbeu si zëvendës-Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
I lindur në sektorin amerikan të Berlinit Perëndimor, Kilian Wahl u rrit në Toronto dhe Berlin. Ai studioi Komunikim, Drejtësi dhe Histori Arti në Freie Universität Berlin. Në vitin 2004, ai mori pozitën e drejtorit të komunikimeve dhe kryezëdhënësit të Misionit të parë Evropian për Sundimin e Ligjit, EUPM, në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë. Karriera më tej e dërgoi atë në Kosovë, ku u zhvendos në vitin 2011 duke marrë postin e zëvendës-shefit të personelit të EULEX-it, misioni më i madh i BE-së ndonjëherë në botë. Në këtë funksion, ai u bë pjesë e ekipit teknik negociues të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mbikëqyri zbatimin e marrëveshjeve në terren. Pas dy vitesh pushim prindëror, Kilian Wahl në vitin 2017 u kthye në Kosovë si këshilltar politik për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si pjesë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Para angazhimit të tij në Evropën Juglindore, Kilian Wahl pati një karrierë shumë të suksesshme si gazetar, përfshirë edhe si prezantues i emisionit më të njohur televiziv gjerman, ‘Tagesschau.’ Ai fitoi Çmimin Evropian të Ekselencës për Komunikim në vitin 2009 dhe mori Medaljen e Shërbimit të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes në vitin 2004 dhe 2012. Ai është ligjërues në Universitetin Johns Hopkins SAIS Bologna.
Ambasadori Wahl flet gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe pak serbo-kroatisht. Ai është i martuar dhe ka pesë fëmijë.