Forcimi i bashkëpunimit midis policisë dhe prokurorisë në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 10 prill 2025 – Sot, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut firmosën Protokollin e ri të bashkëpunimit, duke riafirmuar përkushtimin e tyre për forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe efikasitetit të hetimeve penale. Misioni i OSBE-së në Shkup ndihmoi në zhvillimin e protokollit dhe organizoi ceremoninë e nënshkrimit në Shkup.
Prokurori Publik i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, nënvizoi vlerën operative të Protokollit:
“Protokolli nuk është deklaratë politike, por një plan operativ i bazuar në ligjin tonë të procedurës penale dhe në korniza të tjera ligjore,” tha ai. “I thjeshtëzon proceset e bashkëpunimit, siguron qartësi mbi rastet komplekse dhe rritë koordinimin për masat e posaçme hetimore. Institucionet tona përballen me forma gjithnjë e më të sofistikuara të krimit dhe ky Protokoll na ndihmon ta përshtatim qasjen tonë për të përmbushur ato sfida në mënyrë të drejtpërdrejtë.”
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nënvizoi rëndësinë e Protokollit si vegël për forcimin e mirëbesimit dhe efikasitetit institucional.
“Me nënshkrimin e këtij Protokolli, ne jemi duke i hedhur themelet e mirëbesimit dhe bashkëpunimit me një synim të qartë dhe të përbashkët – detektimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale dhe autorët e tyre,” tha ministri Toshkovski. “Rregullat e qarta nënkuptojnë efikasitet më të madh për institucionet, për drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Ky nuk është vetëm një dokument ligjor, por përkushtimi ynë i përbashkët për të vepruar në bazë të besimit, transparencës dhe llogaridhënies.”
“Me nënshkrimin e sotëm, Ministria dhe Prokuroria Publike janë duke hyrë në një fazë të re – fazë e cila do të përqendrohet në vendosjen e dispozitave të Protokollit në praktikë,” tha ambasadori Wahl, shefi i Misionit të OBSE-së në Shkup, gjatë fjalës së tij hyrëse. “Ky hap do ta forcojë zinxhirin e drejtësisë penale, do të ketë ndikim të prekshëm operativ dhe do ta trasojë rrugën për trajnime të përbashkëta. Procedurat standarde operative dhe veglat praktike do të vijojnë më pas, me theks të veçantë në trajtimin e krimeve komplekse siç janë korrupsioni, krimi organizuar, krimi financiar dhe krimi kibernetik.”