Drejt barazisë midis grave dhe burrave
Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, Kuvendi është duke bërë progres të prekshëm drejt barazisë midis grave dhe burrave, duke prezantuar politika të reja, forcuar mbikëqyrjen dhe avancuar reformat strukturore.
Më 11 shkurt, Komisioni parlamentar për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat miratoi Planin Nacional të Veprimit për avancimin e barazisë midis grave dhe burrave për periudhën 2025-2027. [1]
“Ky hap shënon Planin e tretë të radhës me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), duke forcuar përkushtimin e Kuvendit në promovimin e barazisë midis grave dhe burrave,” tha ambasadori Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Marina Dimovska, Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit, riafirmoi përkushtimin e institucionit për promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë. “Kuvendi, si shtëpia që përfaqëson të gjithë qytetarët dhe institucioni demokratik më i rëndësishëm, mbetet fuqia kryesore për promovimin e barazisë midis grave dhe burrave.”
Plani i ri i veprimit vendos qëllime ambicioze me synim të forcimit të barazisë midis grave dhe burrave në përfaqësimin politik, proceset legjislative dhe funksionet e mbikëqyrjes. Madje, këto përpjekje përqendrohen në forcimin e organizimit të brendshëm të Kuvendit, duke përfshirë themelimin e njësisë të dedikuar për barazinë midis grave dhe burrave, përmirësimet infrastrukturore për përkrahjen e politikave në sferën e familjes për stafin dhe deputetët, dhe rritjen e kapaciteteve për analizë gjinore. Objektivat kyçe përfshinë avancimin e standardeve etike për të parandaluar të gjithë format e dhunës, duke inkurajuar politikanët burra për të nxitur në mënyrë aktive barazinë, dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për çështjet që lidhen me gjininë.
Që nga viti 2019, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe ODIHR kanë mbështetur përpjekjet për ta bërë Kuvendin më gjithëpërfshirës, duke siguruar që perspektivat dhe prioritetet e grave dhe burrave reflektohen në punën e tij. Kuvendi ka paraqitur sesione trajnimi të specializuara për barazinë gjinore, doracak gjithëpërfshirës mbi praktikat më të mira[2], si dhe trajnim induksioni për deputetët e sapozgjedhur. Posti i Këshilltarit Gjinor, i themeluar në vitin 2023, siguron mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme për politikat që reflektojnë nevojat e të gjithë qytetarëve.
Këto ndryshime gjithëpërfshirëse janë duke formësuar një Kuvend më të drejtë dhe më përfaqësues. Seanca plenare vjetore që shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas mbanë barazinë në agjendë, përderisa dispozitat me ndjeshmëri gjinore të Rregullave të Procedurës ndihmojnë në shndërrimin e angazhimeve në veprime. Shkëmbimet rajonale forcojnë më tej këto përpjekje, duke promovuar bashkëpunim përtej kufijve për të ndërtuar institucione më gjithëpërfshirëse.
Misioni i OSBE-së në Shkup vazhdon të mbështesë institucionet e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e tyre të inkorporojnë praktika me ndjeshmëri gjinore në politikëbërjen, duke siguruar progres të afatgjatë drejt barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
[1]https://www.sobranie.mk/ns-newsarticle-usvoen-akciskiot-plan-za-unapreduvane-na-ramnopravnosta-megu-zenite-i-mazite.nspx