Thirrja e dytë e hapur për propozime për fondin e arsimit të integruar
E hapur për: Shkolla publike, fakultete për trajnim për mësimdhënës/fakultete pedagogjike dhe komuna.
Mundësi financimi: Deri në 5000 EUR për aplikim/thirrje
Periudha e implementimit: Qershor 2024 - Qershor 2025
Afati i dorëzimit: 30 prill 2024
Udhëzime për aplikuesit për grante
Ndërtimi i urave të reja
Projekti “Ndërtimi i urave të reja” (NUR) ndërlidhet me Fondin për ndërtimin e urave të reja (NUR) për periudhën 2014-2021, i cili paraqiti një model për arsimin e integruar në Maqedoninë e Veriut duke mbështetur shkollat, komunat dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) për të bashkuar fëmijët me prejardhje dhe gjuhë të ndryshme përmes aktiviteteve të përbashkëta ekstrakurrikulare.
Ky projekt i ri synon më tej ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse që ushqejnë dhe krenohen me pluralizmin kulturor dhe respektin për tolerancën, dialogun dhe bashkëpunimin, në një klimë besimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë si garanci më të mira të paqes dhe sigurisë sociale.
NUR aktualisht mbështetet nga Mbretëria e Norvegjisë, Republika e Polonisë, Dukata e Madhe e Luksemburgut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Objektivat e Fondit për Arsim të Integruar (FAI)
Objektivi i përgjithshëm i Fondit për Arsim të Integruar është forcimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe kohezionit social brenda mjediseve shkollore përmes rritjes së praktikave të integruara arsimore dhe shkëmbimeve ndërkulturore. Fondi synon të rrisë ndërveprimin ndëretnik, mirëkuptimin dhe integrimin midis fëmijëve dhe të rinjve duke motivuar dhe mbështetur financiarisht shkollat shumëgjuhëshe (fillore dhe të mesme), dhe/ose shkollat/kopshtet e bashkuara njëgjuhësore, me gjuhë të ndryshme mësimore, si dhe institutet pedagogjike për të zbatuar orë të përbashkëta mësimore (kurrikulare) dhe aktivitete ekstrakurrikulare.
Objektivat specifikë të FAI janë:
- Forcimi i marrëdhënieve ndëretnike midis fëmijëve dhe të rinjve me prejardhje kulturore dhe gjuhësore të ndryshme përmes orëve të përbashkëta mësimore;
- Inkurajimi i aktiviteteve që ofrojnë hapësirë për angazhim ndëretnik në përputhje me kurrikulat shkollore dhe udhëzimet ministrore;
- Mbështetja e iniciativave të qëndrueshme që mund të përsëriten lehtësisht në të ardhmen.
- Të vendoset respekt i ndërsjellë dhe të tejkalohen stereotipet dhe paragjykimet etnike;
- Të zhvillojë ndjenjën e bashkësisë dhe përkatësisë përmes vlerave universale;
Sipas thirrjes së dytë për propozime, Fondi për Ndërtimin e urave të reja ofron grante deri në 5000 Euro për shkollat, fakultetet pedagogjike dhe komunat, për propozim projektet e zbatuara midis qershorit 2024 dhe qershorit 2025.
Paketa e aplikimit
Për të marrë formularin e aplikimit, ju lutemi dërgoni një email në bnb.mk@osce.org dhe jepni informacionin tuaj të kontaktit.
Paketa e aplikimit është e disponueshme në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze. Aplikacionet duhet të dorëzohen në gjuhën angleze. Përveç versionit në gjuhë angleze mund të dorëzohet dhe version në gjuhën maqedonase dhe/ose shqipe. Në rast mospërputhjeje, do të mbizotërojë versioni në anglisht.
Afati i fundit për Thirrjen është 30 prill 2024.
Aplikacionet duhet të dërgohen direkt në: BNB.mk@osce.org
Mbështetje tutoriale: Ekipi i projektit Ndërtim i urave të reja ofron mbështetje teknike për të gjithë aplikantët në formën e tutorialeve gjatë periudhës së dorëzimit. Ju lutemi të paraqisni kërkesën tuaj për mbështetje teknike duke shkruar në adresën e mësipërme. Subjekti në email-in tuaj duhet të jetë "Nevojitet mbështetje teknike për aplikimin NUR”. Emaili duhet të tregojë llojin e mbështetjes që kërkohet.
Procedura e vlerësimit: Aplikimet fillimisht shqyrtohen nga Zyra Ekzekutive e Fondit NUR për të përcaktuar nëse i plotësojnë kushtet. Së fundmi, një bord i pavarur këshillimor merr vendimin për ndarjen e fondit.
Për çdo pyetje në lidhje me thirrjen e hapur mund të kontaktoni ekipin tonë:
Florin Rexhepi | Tel: 070 358298
Email: bnb.mk@osce.org
Kriteret e pranueshmërisë
1. Pranueshmëria e aplikantit dhe partnerëve
Për t'u kualifikuar për një grant, aplikanti duhet të jetë shkollë publike, fakultet për trajnim të mësimdhënësve/fakultet pedagogjik ose komunë.[1] Nëse aplikanti është një shkollë me më shumë se një gjuhë mësimore, atëherë mund të aplikojë si një aplikant i vetëm, por duhet të përfshijë nxënës nga të paktën dy gjuhë mësimore nga ato që përdoren në shkollë. Nëse shkolla aplikant është njëgjuhësore, në aplikim duhet të përfshij të paktën një shkollë partnere me një/disa gjuhë të tjera mësimore. I njëjti rregull vlen nëse aplikanti është një fakultet për trajnim të mësimdhënësve aplikimi duhet të përfshijë shkollat me të paktën dy gjuhë të ndryshme mësimore dhe/ose një fakultet partner për trajnim të mësimdhënësve me të paktën një gjuhë të ndryshme mësimore.
Nëse financohet, në fillim të aktiviteteve të projektit, çdo përfituesi të grantit do t'i kërkohet të kryejë një sondazhë bazë për të matur shkallën fillestare të kohezionit social midis djemve dhe vajzave që marrin pjesë. Më saktë, sondazhi ka për qëllim të masë perceptimet e përkatësisë, përfshirjes, tolerancës dhe pjesëmarrjes si fusha të rëndësishme të kohezionit social. Sondazhi do të zhvillohet nga Njësia NUR dhe do të realizohet më tej nga përfituesit e granteve si partnerë zbatues. Pjesëmarrësve do t’u garantohet fshehtësia e informacionit të dhënë në sondazhin. Të gjitha të dhënat do të ruhen dhe mirëmbahen në mënyrë të sigurt brenda serverit të Misionit. Gjetjet e sondazhit bazë do të futen në raportin përfundimtar të vetëvlerësimit të projektit.
2. Pranueshmëria e aktiviteteve e projektit
2.1 Orët e përbashkëta mësimore (Aktivitetet kurrikulare): Shkollat dhe Fakultetet për trajnim të mësimdhënësve/Fakultetet pedagogjike.
Orët e përbashkëta mësimore janë të detyrueshme për shkollat dhe fakultetet e trajnimit të mësimdhënësve sipas Fondit për Arsim të Integruar.
Shkollat dhe fakultetet e trajnimit të mësimdhënësve/fakultetet pedagogjike që aplikojnë në kuadër të kësaj Thirrje duhet të plotësojnë seksionet I, II, III, IV dhe VI, VII, VIII dhe IX të aplikimit. Ju lutem vini re se edhe pse seksioni V (aktivitetet ekstrakurrikulare) është opsional për shkollat dhe fakultetet e trajnimit të mësimdhënësve, këshillohet fort që të përfshihen disa aktivitete plotësuese ekstrakurrikulare si pjesë e aplikimit. Ju lutemi vini re: Buxheti për aktivitetet ekstrakurrikulare nuk duhet të kalojë 250 Euro.
Fondi për Arsim të Integruar ka një fokus të veçantë në orët e përbashkëta mësimore (kurrikulare) midis fëmijëve me gjuhë të ndryshme mësimore dhe prejardhje të ndryshme etnike në përputhje me “Udhëzuesin për organizimin e orëve të përbashkëta mësimore” të krijuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Implementimi i orëve të përbashkëta mësimore (p.sh., edukata fizike, gjuha angleze, shkenca ose çdo lëndë tjetër zgjedhore që mbështet zhvillimin emocional dhe social) duhet të synojë garantimin e vazhdimësisë dhe shpeshtësisë së kontaktit midis të njëjtit grup nxënësish/studentësh gjatë dy semestrave, në bazë javore/dyjavore.
Ju lutemi vini re: Orët e përbashkëta mësimore duhet të jenë në përputhje me kurrikulën kombëtare.
Duhet të sigurohet një përdorim fleksibil i gjuhëve gjatë gjithë realizimit të orëve të përbashkëta mësimore (dhe aktiviteteve ekstrakurrikulare). Në përputhje me udhëzimet ministrore, gjatë realizimit të orëve të përbashkëta, mësimdhënësit inkurajohen të flasin në gjuhën e tyre amtare pa përkthim, dhe në vend të kësaj të parafrazojnë informacionin përkatës në mënyrë që nxënësit të ndjekin mësimet në gjuhë të ndryshme dhe të ekspozohen ndaj gjuhës së Tjetrit.Për këtë Thirrje, nxënësit pjesëmarrës në shkollë fillore duhet të jenë midis klasës së parë dhe të shtatë në kohën e aplikimit, ndërsa ata të shkollës së mesme/fakultetit në vitin e parë ose të dytë studimit. Sa u përket shkollave profesionale, nxënësit duhet të jenë në klasën e parë në kohën e aplikimit.
2.2 Aktivitete ekstrakurrikulare: shkollat/fakultetet e trajnimit të mësimdhënësve dhe komunat (opsionale)
Shkollat dhe fakultetet e trajnimit të mësimdhënësve rekomandohen fort që t'i plotësojnë orët e planifikuara të përbashkëta mësimore me disa aktivitete ekstrakurrikulare. Aktivitetet ekstrakurrikulare duhet të arsyetohen qartë për atë se si mbështetin orët e përbashkëta mësimore. Aktivitetet ekstrakurrikulare mund të përfshijnë klube debati dhe gara, përgatitjen e një buletini informativ të shkollës, performanca artistike.
Ju lutemi vini re se aktiviteteve ekstrakurrikulare që përfshijnë prindër të nxënësve/studentëve të zgjedhur do t'u kushtohet vëmendje e veçantë.
Aktivitetet ekstrakurrikulare gjithashtu mund të organizohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një komunë aplikante për të promovuar projektin dhe shkollat pjesëmarrëse pa iu referuar një lënde specifike.
Propozim projektet gjithashtu duhet të sigurojnë që në bashkëkrijimin e aktiviteteve të përbashkëta kurrikulare dhe ektrakurrikulare të jenë përfshirë mësimdhënës me gjuhë dhe përkatësi të ndryshme, dhe këto aktivitete të jenë "me të vërtetë" të përziera me:
- Përfaqësim të barabartë të fëmijëve me gjuhë të ndryshme mësimdhënieje të përfshirë në mënyrë bashkëpunuese drejt një objektivi të përbashkët gjatë orëve të përbashkëta mësimore.
- Pjesëmarrje të barabartë të djemve dhe vajzave, si dhe atyre me nevoja të veçanta dhe prindërve/kujdestarëve aktivë;
- Përjashtimi të çdolloj diskursi politik gjatë aktiviteteve mësimore dhe ekstrakurrikulare.
3. Buxheti
Fondi Ndërtimi i urave të reja nuk i paguan parat por blen materialet dhe/ose shërbimet e nevojshme për zbatimin e aktiviteteve sipas rregullave dhe procedurave të Misionit të OSBE-së në Shkup. Aplikanti duhet të japë një vlerësim të kostove të parashikuara, dhe pas kësaj Zyra Ekzekutive përfundimisht vendos për blerjet e pranueshme. Ju lutemi përdorni dokumentin e buxhetit për të përpiluar buxhetin tuaj siç duhet.
Projekti është një aktivitet i bashkëfinancuar, ku aplikanti mbulon shpenzimet për zyrat, shpenzimet komunale, ekspertizën e brendshme, etj. Shkalla e bashkëfinancimit që aplikanti do të jetë në gjendje të sigurojë do të jetë një nga kriteret në të cilat Projekti do të mbështetet gjatë vlerësimit të aplikantit/ëve.
4. Përfaqësuesi i nxënësve dhe konsultimet me nxënësit
Aktivitete ekstrakurrikulare që përfshijnë përfaqësues të nxënësve nga grupet e përzgjedhura duhet të sigurojnë që përfaqësuesit e nxënësve janë të angazhuar drejtpërdrejt dhe aktivisht në identifikimin, hartimin dhe zbatimin e aktiviteteve. Inputi i tyre në Raportin narrativ duhet siguruar pas përfundimit të projektit. Qëllimi i kësaj kërkese është për t'u siguruar se të gjitha propozimet përfshijnë aktivitete të cilat vetë nxënësit i konsiderojnë si më të realizueshme dhe interesante, duke mbështetur kështu zhvillimin e një kulture të një rrjedhe të hapur idesh mes mësimdhënësve dhe nxënësve. Nëse një propozim projekti përfshin më shumë se një shkollë për aktivitete ekstrakurrikulare, duhet të kenë të paktën një përfaqësues të nxënësve nga secila shkollë e përfshirë.
Përfshirja e përfaqësuesit të nxënësve nuk është një kusht për propozimet e shkollave fillore, nëse projekti do të përfshijë nxënës nga klasa e shtatë ose më poshtë. Aty ku është e mundur, aplikantët e tillë duhet të konsultohen me nxënësit gjatë hartimit të projektit. Vendimi se cili lloj i aktiviteteve të konsultimit do të funksionojë më së miri në një rast të veçantë i lihet aplikantit dhe shkollave partnere, duke pasur parasysh rrethanat specifike (si mosha e fëmijëve/nxënësve që do të marrin pjesë në projekt). Për të gjithë nxënësit, nën 18 vjeç, të përfshirë në aktivitetet e projektit, shkolla duhet të marrë miratimet e prindërve.
5. Njoftimi për vendimin
Aplikantët do të informohen me e-mail për vendimin e Bordit këshillues të fondit NUR në lidhje me aplikimin e tyre. Nëse aplikimi miratohet me kusht, aplikantët do të marrin komentet dhe rekomandimet e Bordit mbi atë se si ta rishikojnë aplikimin. Nëse kërkesa refuzohet, aplikanti do të marrë arsyetimin për vendimin negativ.
Aplikimet që janë më tepër në përputhje me objektivat e përcaktuara në këto Udhëzime, dhe kanë cilësinë më të lartë, ndikimin e pritur, qëndrueshmëri dhe efektivitet të kostos, do të kenë shans më të madh për të fituar grantin. Zyra Ekzekutive e Fondit NUR do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për ndërtimin e kapaciteteve për mësimdhënësit, administratorët dhe nxënësit në formën e uebinareve dhe tutorialeve mbi menaxhimin e projekteve dhe praktikën e arsimit të integruar.
6. Bordi Këshillues i Fondit NUR
Bordi këshillues i Fondit të ri për NUR është organi kryesor që vlerëson aplikimet. Si organi vendimmarrës i gjithë skemës së financimit të NUR, detyra e të cilit është të vlerësojë propozim projektet dhe të marrë vendime për ndarjen e granteve. Parashikohet që Bordi të përbëhet nga Zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Menaxheri i Projektit të NUR (Shefi i Departamentit të Dimensionit Njerëzor), Oficeri i Lartë për çështje gjinore (ose Zëvendës personi i kontaktit për çështje gjinore, ose një përfaqësues tjetër nga Njësia për çështje gjinore), Oficeri kombëtar i Programit përgjegjës për portofolin e arsimit, Oficeri i lartë i demokratizimit dhe një përfaqësues nga Njësia e monitorimit.