Luftimi i trafikimit të paligjshëm të armëve dhe kontrabanda e emigrantëve në fokusin e evenimentit rajonal të nivelit të lartë të mbajtur në Shkup
SHKUP, 5 nëntor 2024 - Krimi i organizuar parqet një kërcënim urgjent në Evropën Juglindore, ku trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe kontrabanda me emigrantët rrezikojnë sigurinë rajonale dhe globale. Për t’u kundërvënë këtyre çështjeve dhe për të nxitur aksion të koordinuar në mbarë rajonin, Misioni i OSBE-së në Shkup, në bashkëpunim me EU4FAST, organizon një Konferencë të nivelit të lartë të bashkëpunimit midis policisë dhe doganave që mbahet në Shkup nga 5 deri më 7 nëntor.
Politikanë të nivelit të lartë, drejtorë të policisë dhe doganave, zyrtarët e zbatimit të ligjit, ekspertët e sigurisë dhe përfaqësuesit nga organizatat partnere ndërkombëtare do të takohen për të forcuar bashkëpunimin rajonal midis policisë dhe autoritetet doganore. Qëllimi i tyre është të zhvillojnë strategji të koordinuara për të luftuar kërcënimet komplekse dhe në rritje të trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL) dhe kontrabandën me emigrantë.
“Pse jemi sot këtu? Sepse – të jemi të sinqertë – Evropa Juglindore fatkeqësisht mbetet pikë qendrore për trafikun e paligjshëm të armëve dhe kontrabandën e emigrantëve. Rajoni është plotë me armë dhe të gjithë ne në këtë dhomë jemi të vetëdijshëm për Rrugët famëkeqe Ballkanike” deklaroi — Ambasadori Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Armët e trafikuara nga rajoni jo vetëm që nxisin dhunën në nivel lokal por gjithashtu kontribuojnë për krimin dhe rrënimin e stabilitetit në mbarë botën. Trafikimi i armëve nxitë krimin e organizuar dhe rrezikon sigurinë publike, duke kontribuar për dhunën në familje, vrasjet dhe dhunën me bazë gjinore.
“Ky eveniment, i cili inicon një bashkëpunim më të madh institucional në nivelin ndërkombëtar dhe atë lokal, do të kontribuojë për funksionalitetin e sistemeve të sigurisë që janë shtylla qenësore për sigurinë e qytetarëve dhe vlerat demokratike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe transnacional kërkon që ne të gjithë të bëjmë përpjekjet dhe ofrojmë resurset maksimale, veçanërisht në bashkëpunimin ndërkufitar policor dhe doganor, si një faktor kyç në trajtimin efikas të këtij kërcënimi”, theksoi — Pançe Toshkovski, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Rrjetet e krimit të organizuar vazhdojnë të shënojnë rritje në aspekt të kompleksitetit dhe shpërndarjes së tyre, gjë e cila kërkon bashkëpunim më të madh. Kjo konferencë synon të siguron bazën për avancimin e shkëmbimit të informacioneve në mbarë rajonin dhe përtej përmes prezantimit të sistemit të shkëmbimit të informacioneve transnacionale, siç është Aplikacioni i Rrjetit të Sigurt të Shkëmbimit të Informacionit – SIENA. Forumi gjithashtu sjellë në një vend palët e involvuara kyçe për të rrëfyer mbi përvojat e tyre, për të prezantuar trendet në pikat kufitare dhe diskutuar mbi mekanizmat e reagimit.
“Jam i lumtur që Maqedonia e Veriut ka njohur këtë problem dhe kemi nderin ta mbështesim vendin në këto përpjekje,” theksoi ambasadori Kilian Wahl. “Kemi filluar të vërejmë ndikimin: Evropa Juglindore ka shënuar progres, me 20% rritje në konfiskime në shkallë të gjerë. Të gjithë mund të ndjehemi krenar për këto rezultate të prekshme. Megjithatë, duhet të pajtohemi se pavarësisht nga këto përpjekje, përhapja e armëve të paligjshme të zjarrit mbetet një shqetësim serioz, duke nënvizuar nevojën për veprime të vazhdueshme rajonale për të reduktuar rrjedhën e tyre.”
Konferenca shënon një hap të rëndësishëm në ndërtimin e partneritetit, shkëmbimin e inteligjencës dhe avancimin e zgjidhjeve të prekshme, duke vënë themelet për nisma të ngjashme në ardhmëri. Së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe partnerët rajonal, Misioni i OSBE-së në Shkup mbetet i përkushtuar për të avancuar këto përpjekje dhe forcuar rezistencën e rajonit kundër krimit të organizuar.