Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë – mjet ndërtimi për paqe
Nga Päivi Nikander dhe Valerie Zirl
"Kultura është në front të konfliktit – ajo do të duhej të ishte në front të ndërtimit të paqes”. – Irina Bokova, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s
Konflikti në Kosovë më 1998/99, sikurse shumë konflikte të armatosura të kohëve të sotme, ishte konfrontim në baza të identitetit, rezultat i një kontesti ndërmjet grupeve të shoqërisë së formuar përgjatë një kulture të përbashkët. Në të dyja anët, shënjestra specifike ishin monumentet kulturore dhe fetare, si simbole vizuale që i përkasin grupit tjetër. Qindra xhami dhe monumente të tjera të fesë islame, çarshi historike dhe një numër i madh kullash, shtëpi tradicionale shqiptare, si dhe monumente ortodokse serbe janë dëmtuar apo shkatërruar gjatë dhe pas konfliktit. Kur u rishfaq dhuna ndëretnike në mars të vitit 2004, shkurt por në masë intensive, kishat dhe manastiret ortodokse serbe u bën caqe të sulmeve nga grupe demonstruesish shqiptarë.
Gjersa metodat tradicionale të zgjidhjes së konflikteve kryesisht janë të krijuara për të trajtuar dallimet e interesave ndërmjet shteteve, konfliktet në baza të identitetit kërkojnë një qasje të re. Në Kosovë, mbrojtja e trashëgimisë kulturore është dashur të bëhet element i pandashëm i procesit të ndërtimit të paqes.
Masat fillestare
Menjëherë pas konfliktit, bashkësia ndërkombëtare ishte e përqendruar në mbrojtjen fizike të monumenteve fetare dhe kulturore. Më 1999, forcat paqeruajtëse të NATO-s siguruan manastiret më të spikatura ortodokse serbe. Më 2003, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) caktoi ruajtjen e trashëgimisë kulturore si një nga standardet që duhej arritur nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë. Të alarmuar nga rishfaqja e dhunës etnike më 2004, në vitin pasues bashkësia ndërkombëtare zotoi 10 milionë dollarë për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare në konferencën e donatorëve të organizuar nga UNESCO bashkë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian.
Masat për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore u përfshinë në mesin e parimeve udhëzuese të procesit të statusit të Kosovës të iniciuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 2005. Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i vitit 2007 kishte një shtojcë me mekanizmat mbrojtës. Ndonëse miratimi i propozimit si traktat paqeje dështoi, shumica e dispozitave të tij u miratuan më vonë, pasi institucionet e Kosovës shpallën njëanshëm pavarësinë më 2008. Pjesa më e rëndësishme ishte themelimi i zonave të mbrojtjes së veçantë përreth më shumë se 40 monumenteve ortodokse serbe, dhe themelimi i Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, platformë kjo e dialogut të nivelit të lartë ku mblidhen lidershipi i Kishës Ortodokse me Qeverinë e Kosovës për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me këto zona.
OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës kanë mbështetur institucionet e Kosovës në zhvillimin e kornizës së nevojshme ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë. Deri më sot, një përfaqësues i Bashkimit Evropian bashkëkryeson takimet e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, gjersa OSBE-ja ofron ekspertizë teknike.
Nga mbrojtja deri te pajtimi
Instalimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të ish kundërshtarëve në simbolet e tyre të identitetit kulturor ishte vetëm hapi i parë drejt pajtimit në Kosovë. Megjithatë, edhe ky hap i parë kërkonte angazhim të madh nga pjesa e liderëve të komunitetit dhe paqendërtuesve ndërkombëtarë. Zbatimi efektiv është zvarritur përgjatë viteve, i penguar nga mungesa e mbështetjes politike dhe resurset joadekuate financiare dhe njerëzore. Besimi i Kishës Ortodokse Serbe në proces kërkonte avokim të konsiderueshëm ndërkombëtar. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk gjente përkrahje të gjerë.
Megjithatë, mekanizmat e aplikuar nga bashkësia ndërkombëtare arritën të nxisin një numër zhvillimesh pozitive. Më së rëndësishmi, ato shkuan përtej mbrojtjes fizike, për të iniciuar një proces të dialogut dhe pajtimit.
Pasi që Këshilli për Zbatim dhe Monitorim filloi të takohet në baza të rregullta në fillim të vitit 2013, anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe merrnin pjesë gjithnjë e më shumë në takimet e nivelit lokal bashkë me përfaqësues të qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Liderët e të gjitha besimeve në Kosovë filluan një proces dialogu ndërfetar, të përkrahur nga OSBE-ja, me qëllim që të avokojnë bashkërisht për mbrojtjen e lirisë fetare.
Komunat po marrin përsipër gjithnjë e më shumë përgjegjësi për të siguruar respektim të ligjit të aplikueshëm brenda zonave të mbrojtura. Gjithnjë e më shpesh, kryetarët shqiptarë të komunave të Kosovës dhe qeveritë lokale po bashkëveprojnë me komunitetet ortodokse serbe në komunat e tyre. Fakti që zyrtarët shqiptarë të Kosovës – kryetarë komunash, ministra, madje edhe presidenti – janë duke i vizituar gjithnjë më shumë monumentet ortodokse serbe dhe po marrin pjesë në festimet fetare është pikëarritje madhore në zhvillimin e një marrëdhënieje konstruktive ndërmjet komuniteteve.
Një tjetër hap i madh përpara është themelimi nga Policia e Kosovës i një njësie speciale, e trajnuar për sigurimin e monumenteve më të cenueshme, të cilët i kanë marrë përsipër pothuajse të gjitha përgjegjësitë e sigurisë nga bashkësia ndërkombëtare.
Ka pasur edhe pengesa. Vandalizmi dhe përdhosja e kishave, varrezave dhe manastireve ortodokse serbe kanë ndikim të konsiderueshëm në perceptimin e sigurisë nga komuniteti serb i Kosovës. Kjo dhunë është kryer nga një përqindje e vogël e komunitetit shqiptar të Kosovës, por një numër i madh i tyre do të theksonte se komuniteti i tyre asnjëherë nuk ka pranuar kërkimfalje apo dëmshpërblim për shkatërrimin e monumenteve shqiptare në Kosovë gjatë konfliktit. Pavarësisht asaj se cilat mund të jenë arsyet, komuniteti serb i Kosovës nuk do të sheh të ardhme të qëndrueshme për vete nëse nuk mund të jetojë dhe shprehë identitetin e tij kulturor pa frikë. Incidentet si përdhosja e varrezave ortodokse si hakmarrje për rrënimin e një monumenti shqiptar në Serbinë jugore, grafitet kërcënuese të vendosura në mure dhe dyer të manastireve ortodokse serbe apo gurët e hedhur ndaj pelegrinëve ortodoksë serbë që vizitojnë monumentet fetare dëshmojnë qartas se sa i brishtë është çdo përafrim ndërmjet komuniteteve dhe sa shpejtë trashëgimia kulturore mund të bëhet përsëri cak i krimeve të nxitura nga urrejtja. Pronarët e tokave që janë në gjendje të vështira ekonomike shpeshherë nuk kanë mirëkuptim për kufizimet ndaj të drejtave të tyre pronësore brenda zonave të veçanta të mbrojtura.
Edhe pas më shumë se pesëmbëdhjetë viteve të angazhimit ndërkombëtar, duhet bërë më shumë për të siguruar mbrojtje të qëndrueshme të trashëgimisë kulturore dhe për t’i konsoliduar masat efektive mbrojtëse për identitetet kulturore në Kosovë. Vazhdon të jetë sfidues transformimi i asaj që është parë si simbol i identiteteve të ndryshme në material për ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve të ndara.
Angazhimi i OSBE-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë, i themeluar më 1999 si “Shtylla III” e UNMIK-ut me mandat parësor themelimin e institucioneve demokratike, agjencive të sundimit të ligjit dhe mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut pas konfliktit, sot në programet e tij përfshin gjithnjë e më shumë nisma për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore. “Meqë feja është pjesë shumë e rëndësishme e identitetit etnik edhe pse konflikti në Kosovë nuk ishte fetar por etnik nga natyra, shumë prej këtyre monumenteve fetare ishin shkatërruar apo dëmtuar në konflikt dhe pas tij. Për të njëjtën arsye, rindërtimi dhe mbrojtja e tyre është element i rëndësishëm për arritjen e pajtimit dhe paqes afatgjate,” thekson Kryesuesi i Misionit Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
Me një ekip ekspertësh në zyrat qendrore në Prishtinë dhe me zyra në terren në të gjithë Kosovën, Misioni i OSBE-së monitoron zhvillimet përreth monumenteve kulturore e fetare dhe, me informatat që i mbledh, mbështet punën e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Është i angazhuar në përpjekjet e ndërmjetësimit ndërmjet liderëve të komunitetit fetar dhe politik, mbështet dialogun dhe siguron një platformë neutrale për zgjidhjen e problemeve në nivelin qendror dhe atë lokal.
Në veçanti, Misioni inkurajon gratë që të marrin pjesë në dialogun ndërfetar dhe mbrojtjen e trashëgimisë fetare e kulturore. Jo vetëm që kjo paraqet mundësi të mira të punësimit, por edhe është e domosdoshme për ndërtim efektiv të paqes. Gratë që kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë konfliktit apo që vetë kanë qenë viktima të dhunës janë pjesë esenciale e çdo procesi të paqes.
Misioni i kushton kujdes rolit të rëndësishëm të të rinjve në ndërtimin e besimit dhe tolerancës tek komunitetet shumëkulturore. Përmes garave të artit sikurse ajo e fotografisë më 2015, bashkon studentët nga komunitetet e ndryshme për ta promovuar një ndjenjë të trashëgimisë së përbashkët dhe për të eliminuar stereotipat e rëndomtë për “ata të tjerët”. Kështu, plotësohen projektet edukative të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OJQ-ve lokale siç është Trashëgimia Kulturore Pa Kufij. Studentët që marrin pjesë në vizitat në vendet e trashëgimisë kulturore dhe fetare shpeshherë i ekspozohen kulturës së grupeve tjera etnike në fqinjësi të tyre për herë të parë. Fëmijët e të gjitha komuniteteve që vizitojnë vendet kulturore dhe fetare në tërë Kosovën – si dhe prindërit e tyre që mbështesin nismat e tilla – janë sinjale inkurajuese se muret kanë filluar të shemben.
Përpjekje që ia vlen
Përvoja e Kosovës tregon se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është element i domosdoshëm i procesit të ndërtimit të paqes pas një konflikt në baza të identitetit, jo vetëm për shkak se simbolet kulturore kanë qenë cak gjatë konfliktit. Shfrytëzimi proaktiv i trashëgimisë kulturore për t’i afruar dallimet etnike dhe fetare është parakusht thelbësor për paqe të qëndrueshme në një shoqëri pjesëtarët e së cilës i kushtojnë rëndësi të madhe elementeve të identitetit të tyre kulturor.
Mekanizmat mbrojtës që i japin rëndësi të barabartë trashëgimisë së tyre kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve më me gjasë do të kenë mbështetje publike dhe në këtë mënyrë do të jenë më efektive. Nëse rregullat e zonave të veçanta të mbrojtura në Kosovë do të aplikoheshin për më shumë se një numër të vogël vendesh jo-ortodokse, pronarët e tokave do ta kishin më të vështirë që të fajësojnë një komunitet specifik për trajtim të pabarabartë dhe pengim të zhvillimit të tyre socio-ekonomik.
Menaxhimi i trashëgimisë kulturore do të duhej të shkonte përtej ruajtjes. Ajo ka vlerë për zhvillim ekonomik lokal, jo vetëm si nxitje për turizëm, por edhe për krijimin e mundësive të punësimit në restaurimin, konservimin, menaxhimin dhe promovimin e vendeve të trashëgimisë. Nëse pjesëtarët e të gjitha komuniteteve do të përfshiheshin dhe do të përfitonin drejtpërsëdrejti nga ky proces, atëherë më me gjasë do ta kuptonin gradualisht vlerën e trashëgimisë kulturore pavarësisht lidhjes së saj fetare apo etnike. Menaxhimi i mençur i trashëgimisë kulturore gjithashtu synon të rinjtë si kujdestarë të ardhshëm.
Në afat të gjatë, trashëgimia kulturore madje mund të kontribuojë në zhvillimin e identitetit të përbashkët të Kosovës që lë mënjanë lidhjet fetare apo etnike. Këtu, bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi të caktuar dhe fuqi të butë. Për ndikim pozitiv publik, do të jetë kruciale që bashkësia ndërkombëtare ta njohë vlerën e barabartë dhe universale të trashëgimisë së komuniteteve të ndryshme në Kosovë, për shembull përmes përfshirjes së monumenteve që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të të gjitha komuniteteve në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pranimi i tillë ndërkombëtar do të mund të kontribuonte që komunitetet të ndjejnë krenari me trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe eventualisht ta lënë në harresë faktin se kujt i takon.
Päivi Nikander është Zëvendëskryesuese e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Valerie Zirl ka shërbyer si këshilltare politike për Kryesuesin e Misionit të OSBE-së në Kosovë për më shumë se pesë vite.