Konkursi i OSBE-së sfidon gjuhën e ekstremizmit të dhunshëm përmes artit
BERLIN, 31 maj 2016 – Për të dalë me një mesazh të fuqishëm kundër ekstremizmit të dhunshëm, OSBE-ja, në partneritet me eYeka-n, një komunitet global krijuesish të talentuar, shpall sot një konkurs dizajni, tha Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier. Nën hashtag-un #LetsDoodle, në këtë konkurs ftohen të marrin pjesë artistë dhe dizenjues për të krijuar një personazh vizatimor që do të sfidojë të menduarit binom “ne kundër tyre”, të menduarit bardhë-e-zi, që përshkon shpesh gjuhën e ekstremizmit të dhunshëm.
“Ne duhet t’i përfshijmë të rinjtë si partnerë në përpjekjet tona – të përfitojmë nga krijimtaria e tyre dhe t’i nxitim që ta përdorin energjinë e tyre në mbështetje të mbrojtjes së bashkëmoshatarëve, familjeve dhe komuniteteve të tyre nga ekstremizmi i dhunshëm,” tha Ambasadori Zannier, gjatë shpalljes së këtij konkursi, në hapjen e Konferencës së OSBE-së Kundër Terrorizimit të vitit 2016 në Berlin.
Pjesëmarrësit do të mund t’i dërgojnë krijimet e tyre deri më 19 qershor përmes www.osce.org/letsdoodle. Katër krijimeve më të mira, të zgjedhura nga një juri e përbërë nga anëtarë të stafit të OSBE-së, do t’u jepen çmime, shuma e të cilave shkon në 3 000 euro.
Konkursi është i hapur për të gjithë të interesuarit nga të 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, për 11 Partnerët për Bashkëpunim nga Azia dhe Mesdheu, si dhe për qytetarët në mbarë rajonin e OSBE-së. Udhëzimet dhe kriteret e hollësishme në lidhje me konkursin mund të gjenden këtu.
Ky konkurs organizohet si pjesë e fushatës së komunikimit OSBE-ja e Bashkuar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (#UnitedCVE). Lançuar në qershor të vitit 2015, kjo fushatë i mëshon qasjes gjithëpërfshirëse të OSBE-së në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm dhe përforcon nevojën e një konsensusi global kundër këtij kërcënimi. Për informacione të reja në lidhje me konkursin, ndiqeni fushatën në Twitter.