Misionet e OSBE-së në terren mbështesin rritjen e shkëmbimit rajonal ndërmjet të rinjve nga Serbia dhe Shqipëria
Përfaqësues të rinj të shoqërisë civile nga Serbia dhe Shqipëria nisën më datë 21 nëntor një kurs trajnimi pesëditor për menaxhimin e ciklit të projekteve, në Zlatibor të Serbisë, si pjesë e një projekti më të gjerë për rritjen e shkëmbimit rajonal ndërmjet të rinjve nga të dyja shtetet.
Misioni i OSBE-së në Serbi, në partneritet me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizuan së bashku këtë trajnim, në bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve të Serbisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë dhe me Këshillin Rinor Kombëtar të Serbisë.
Pas trajnimit të mëparshëm për aftësitë dixhitale, i cili u organizua në shtator në Shqipëri, ky kurs ka për qëllim që pjesëmarrësit të marrin aftësi për menaxhimin e projekteve dhe t’i përdorin këto aftësi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në vitin 2017, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe me Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Rinor, i cili u nënshkrua në vitin 2014 nga qeveritë e dy shteteve.
Kryetari i Misionit të OSBE-së në Serbi, ambasadori Andrea Orizio, përshëndeti pjesëmarrësit e rinj gjatë hapjes së kursit të trajnimit dje në Beograd.
“Rinia mund të luaj rol vendimtar në formësimin e një historie më të mirë, tejkalimin e frikës dhe për të punuar për vendet dhe rajonin ku ju doni të jetoni. Shpresoj se projekti për rritjen e shkëmbimit rajonal do t’ju japë fuqinë që të nisni një udhëtim të tillë. OSBE-ja është gjithnjë e gatshme të mbështesë nisma që përkrahin paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin,” tha Orizio. “Ndërlidhja rajonale nuk është vetëm çështje hekurudhash, autostradash apo ndërlidhjesh dixhitale, por është pikësëpari ndërlidhje ndërmjet rinisë së rajonit.”
Milica Skiljevic, nga Këshilli Rinor Kombëtar i Serbisë, tha: “Bashkëpunimi rajonal i të rinjve është me shumë rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Organizatat rinore janë ato që përfitojnë më shumë, pasi jo vetëm zgjerojnë diapazonin dhe rrjetin e partnerëve, por ata përfitojnë edhe një mundësi më shumë për të zhvilluar dhe përmirësuar më tej programet dhe veprimtaritë e tyre.”
Misioni i OSBE-së në Serbi dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështesin përpjekjet e qeverive të Serbisë dhe të Shqipërisë, të institucioneve që u kushtohen të rinjve si dhe të vetë të rinjve dhe organizatave të tyre në të dyja shtetet, për të rritur shkëmbimin, bashkëpunimin afatgjatë, dialogun dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet të rinjve.
Projekti mbështetet financiarisht nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme e Gjermanisë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Të rejat në lidhje me projektin gjenden në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube, në llogarinë me emër “Humans of Albania and Serbia” dhe #OSCEyouth.