OSBE-ja organizon simulim për aktorët relevantë në Shkup mbi mbrojtjen e infrastrukturës kritike të energjisë nga sulmet terroriste me fokus në kërcënimet që burojnë nga hapësira kibernetike
Përforcimi i mbrojtjes dhe gatishmërisë kundër sulmeve terroriste që targetojnë sistemet industriale të kontrollit janë në fokus të simulimit të mbajtur në Shkup më 27 dhe 28 mars 2017. Njëzet e gjashtë ekspertë nga autoritete shtetërore të ndryshme dhe përfaqësues të sektorit privat, siç janë operatorë, ofrues dhe pronarë, marrin pjesë në aktivitetin nacional të organizuar nga Departamenti i OSBE-së për kërcënime trans-nacionale me përkrahje të Misionit të OSBE-së në Shkup.
Gjatë simulimit, pjesëmarrësit do të mund ta testojnë efikasitetin e sistemit ekzistues për mbrojtje dhe sistemit për menaxhimin e krizave, duke përfshirë koordinim me mekanizma të jashtëm për menaxhimin e krizës. Simulimi gjithashtu synon avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet sektorit publike dhe atij privat për të siguruar mbrojtje më të mirë dhe rezistencë më të lartë të infrastrukturës nacionale të energjisë.
“Sot, terrorizmi kibernetikë si mjet për arritjen e qëllimeve politike dhe ekonomike nëpërmjet përdorimit të teknologjisë për informim dhe komunikim është në rritje dhe paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e shteteve, në nivel nacional dhe global gjithashtu”, tha Ministri i punëve të brendshme, Agim Nuhiu, gjatë fjalimit të tij para ekspertëve nacional për kibernetikë.
Steven Davis, Shefi i Departamentit për siguri dhe mbështetje në komunitet pran Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi: “Ky ushtrim i OSBE-së synon të sigurojë një përvojë të drejtpërdrejtë mbi dobësitë e infrastrukturës kritike të energjisë jo-nukleare për sulme terroriste që burojnë nga hapësira kibernetike dhe avancimin e kapaciteteve nacionale për t’ju përgjigjur sulmeve të tilla.”
Ky simulim është pjesë e një sërë aktivitetesh nacionale të zhvilluara nga Departamenti i OSBE-së për Kërcënime Trans-nacionale për shtetet e veta anëtare, duke u bazuar në Udhëzuesin për praktikat më të mira mbi mbrojtjen e Infrastrukturës kritike të energjisë jo-nukleare nga sulmet terroriste me fokus në sulmet që burojnë nga hapësira kibernetike.