Zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut ishin konkurruese dhe votuesit ishin të informuar mirë, megjithëse procesi mbetet i rregulluar në mënyrë të pamjaftueshme, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
SHKUP, 9 maj 2024 – Balotazhi presidencial dhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin konkurruese dhe një fushatë e gjerë dhe pluraliste i ndihmoi votuesit të bënin një zgjedhje të informuar, por të dëmtuara nga retorika negative me slogane nacionaliste, si dhe mangësi në legjislacion dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme të financave të fushatës, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë të sotme.
Zgjedhjet u zhvilluan në një sfond pakënaqëse të votuesve me establishmentin politik dhe një ndjenjë të përgjithshme se si qeverisë ashtu edhe opozitës i mungonte vullneti për të adresuar thirrjet e kahershme për reforma gjithëpërfshirëse. Misioni i përbashkët vëzhgues nga Zyra e OSBE-së për Institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR), Asambleja Parlamentare e OSBE-së (AP e OSBE), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) dhe Parlamenti Evropian (PE) konstatoi se ndërsa kuadri ligjor krijon bazën për zgjedhje demokratike, mbeten shumë boshllëqe dhe mospërputhje, duke e bërë reformën e mëtejshme thelbësore.
“Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe paqësore, duke vazhduar në një atmosferë konstruktive, pavarësisht polarizimit dhe fragmentimit të fuqishëm politik në Maqedoninë e Veriut”, tha Nikoloz Samkharadze, Koordinator Special dhe udhëheqës i misionit vëzhgues afatshkurtër. “Është shpresa ime e sinqertë për njerëzit e këtij vendi që udhëheqja e sapozgjedhur do të trajtojë në mënyrë efektive sfidat kryesore me të cilat përballet kombi dhe do ta sjellë Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më afër qëllimit të saj të deklaruar për anëtarësim në BE.“
Toni i fushatës, përfshirë edhe ate online, u bë gradualisht negativ përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe kjo nuk u përmirësua gjatë balotazhit presidencial dhe fushatave parlamentare. Pretendimet për blerje votash u shtuan para ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë të gjitha partitë kryesore politike, gjë që nxjerr në pah nevojën për përpjekje më të mëdha për të adresuar këto shqetësime.
Metoda e shpërndarjes së fondeve shtetërore për fushatën dhe kohën e medias i zhvlerësoi partitë më të vogla dhe ato pa asnjë përfaqësim në parlament. Në të njëjtën kohë, transparenca dhe llogaridhënia e financave të fushatës ishin të dobësuara nga kërkesat minimale të raportimit të financimit të fushatës, si dhe nga burimet dhe kapacitetet e kufizuara që u jepen organeve mbikëqyrëse.
“Maqedonia e Veriut ka dështuar të zbatojë një sërë rekomandimesh të rëndësishme të bëra nga Komisioni i Venedikut i Këshillit të Evropës dhe ODIHR”, tha Alfred Heer, i cili kryesoi delegacionin e APKE. “Shumë votues që jetojnë jashtë nuk ishin në gjendje të votonin për një deputet që do t'i përfaqësonte në parlament dhe kërkesa për pjesëmarrje prej 40 për qind të votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale gjithashtu ka nevojë për reforma urgjente për të shmangur rrezikun e cikleve të zgjedhjeve të dështuara.
Me përjashtim të dukshëm të një kandidati presidencial në raundin e dytë, vëzhguesit vunë në dukje se partitë politike paraqitën pak folëse gra në ngjarjet e fushatës dhe partitë dukej se bënin pak përpjekje për të angazhuar gratë votuese. Të gjitha listat e kandidatëve të regjistruar ishin në përputhje me ligjin për të pasur një minimum prej 40 për qind të përfaqësimit të grave. Megjithatë, ato shpesh vendoseshin në pozitat më të ulëta të mundshme.
“Maqedonia e Veriut ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore në jetën politike dhe publike, siç u dëshmua në këto zgjedhje në të cilat gratë përbënin 43 për qind të kandidatëve për deputetë,” theksoi Karina Odebrink, e cila kryesoi delegacionin e AP të OSBE-së. “Megjithatë, angazhimi i vazhdueshëm politik dhe reformat janë të domosdoshme për të rritur përfaqësimin e grave në pozitat e zgjedhura dhe të emëruara, dhe për të adresuar shqetësimet dhe nevojat e grave votuese.”
Rreth 1.8 milionë qytetarë ishin të regjistruar për të votuar në zgjedhjet e djeshme. Besimi i publikut në administratën zgjedhore ishte përgjithësisht i lartë dhe trajnimi për zyrtarët zgjedhorë ishte gjithëpërfshirës, megjithëse edukimi i votuesve mbeti i kufizuar. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe vëzhguesit e vlerësuan atë pozitivisht në përgjithësi. Procedurat e votimit u respektuan në masë të madhe, por në një sërë rastesh këshillat zgjedhorë nuk i respektuan plotësisht procedurat gjatë numërimit të votave.
“Dëshirojmë të lavdërojmë punën e bërë nga gratë dhe burrat të këshillave zgjedhore që ishin shumë të përkushtuar, dhe të cilët treguan se sa mirë ishin të trajnuar,” tha Leopoldo Lopez Gil, kreu i delegacionit të PE. “Ata kontribuan në mbarëvajtjen e rregullt dhe të qetë të procesit zgjedhor dhe dhanë shembull për angazhim qytetar”.
Peizazhi mediatik i Maqedonisë së Veriut është i larmishëm dhe liria e medias respektohet gjerësisht. Gjatë gjithë periudhës së fushatës, mediat përgjithësisht mbuluan të gjithë kandidatët, me disa kanale që favorizuan lista specifike të kandidatëve. Debatet televizive ndihmuan në informimin e votuesve përpara ditës së zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë u konstatua nevoja për reforma të mëtejshme në sektorin e medias.
"Këto zgjedhje ishin konkurruese dhe të zhvilluara mirë, veçanërisht duke pasur parasysh sfidën e organizimit të dy zgjedhjeve të ndryshme në të njëjtën kohë," tha Xhillian Stirk, e cila drejtoi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR. “Por retorika negative dhe nuancat gjithnjë e më nacionaliste të disa partive dhe kandidatëve ishin jashtëzakonisht shqetësuese dhe fushata do të kishte përfituar nga një mbikëqyrje më të detajuar. Shpresojmë që në vijim, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të forcojë demokracinë e saj dhe ODIHR mbetet i gatshëm të ofrojë mbështetje për këto përpjekje.”
Vëzhgimi ndërkombëtar i zgjedhjeve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut arriti në 344 vëzhgues nga 42 vende, të përbërë nga 238 ekspertë, vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR, 72 nga AP e OSBE-së, 23 nga APKE, dhe 11 nga PE.
Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Katja Andrush, ODIHR: +48 609 522 266 ose katya.andrusz@odihr.pl
Anzhelika Ivanishçeva, AP e OSBE-së: + 45 60 10 80 30 ose anzhelika.ivanishcheva@oscepa.dk
Bogdan Torkatoriu, APKE: Bogdan.TORCATORIU@coe.int
Rafaele Luise, PE: +32 470952199 ose raffaele.luise@europarl.europa.eu