Përkundër zbrazëtirave në kornizën ligjore, liritë themelore u respektuan në referendumin e administruar në mënyrë të paanshme, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë në Shkup
SHKUP, 1 tetor 2018 – Edhe pse korniza ligjore nuk i mbuloi mjaftueshëm të gjitha aspektet e procesit, referendumi i 30 shtatorit në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë u administrua në mënyrë të paanshme dhe u respektuan liritë themelore, konkluduan vëzhguesit ndërkombëtarë në deklaratën e sotme. Mungesa e fushatës së organizuar “Kundër” ose për bojkotim, nënkuptoi se mediat e kishin të vështirë të ofrojnë mbulim të balancuar, edhe pse ato votuesve u përcollën informata të bollshme dhe një diapazon të pikëpamjeve të ndryshme.
Votuesit u pyetën “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke e pranuar Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, me ç’rast implementimi i marrëveshjes u konsiderua si parakusht për integrimin në BE dhe në NATO. Gjykata Kushtetuese pranoi tre iniciativa që e kontestuan vendimin e Kuvendit për të mbajtur referendum dhe për formulimin e pyetjes, mirëpo të gjitha u refuzuan.
“Liritë themelore të tubimit, bashkimit dhe të shprehjes u respektuan gjatë gjithë procesit, dhe, edhe pse mungesa e fushatës zyrtare ‘Kundër’ nënkuptoi se dominuan pikëpamjet e fushatës ‘Për’, mediat ofruan informata të bollshme dhe një spektër të gjerë të mendimeve,” tha ambasadori Jan Petersen, shefi i Misionit për vëzhgimin e referendumit të ODIHR-it. “Komisioni shtetëror i zgjedhjeve solli rregulla për t’i plotësuar zbrazëtirat në kornizën ligjore, gjë që ngriti pyetje në lidhje me kompetencën e tij ligjore për ta bërë një gjë të tillë.”
Edhe pse autoritetet bënë disa përpjekje për të ofruar informata publike në lidhje me marrëveshjen, përmbajtja e saj nuk u sqarua sa duhet, thuhet në deklaratë. Kuvendi, kryesisht nëpërmjet partive në pushtet, e udhëhoqi fushatën ‘Për’, ku po ashtu kishte një shkallë të lartë të angazhimit nga liderët e huaj dhe përfaqësuesit e BE-së, NATO-së dhe SHBA-ve. Edhe pse nuk kishte fushatë aktive ‘Kundër’, një koalicion i asociacioneve qytetare dhe dy partive më të vogla politike, u angazhuan për bojkot nëpërmjet tubimeve dhe në mediat sociale, shpeshherë duke përdorur retorikë nxitëse, nacionaliste, thanë vëzhguesit.
“Nëse i respektojmë ata që vendosën të mos votojnë, definitivisht duhet t’i respektojmë edhe ata – më shumë gjysmë milionë – që e morën referendumin seriozisht dhe që vendosën ta hedhin votën e tyre për të ardhmen e vendit. Ata e shprehën vullnetin e tyre me këtë rast, në një ambient të qetë,” tha Stefan Schennach, shef i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. “Në të ardhmen, shpresojmë se çështja e saktësisë së listave të votuesve do të zgjidhet përfundimisht.”
KSHZ-ja e administroi referendumin në mënyrë të paanshme dhe mbajti mbledhje efikase dhe kolegjiale publike, edhe pse në to kishte mungesë të debatit përmbajtësor për çështjet kyçe, thuhet në deklaratë. Komisionet e nivelit më të ulët në përgjithësi punuan në mënyrë profesionale dhe, përkundër parregullsive të imëta, votimi në ditën e referendumit u vlerësua pozitivisht në 98 për qind të vendvotimeve të vizituara nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Rregullat për financimin e fushatës nuk përfshijnë kufizime për shpenzim dhe kanë mungesë të kërkesave të qarta për dorëzimin e raporteve financiare për fushatën dhe për revizion ose sanksione përkatëse, thanë vëzhguesit. Qeveria i ndau Kuvendit rreth 1.3 milionë euro për t’i shpenzuar për reklamim në televizion, por opozita i refuzoi, prandaj u shpenzua vetëm pjesa e fushatës ‘Për’ e mjeteve publike.
Korniza ligjore parasheh vëzhgim nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata qytetarë. “Propozuesi” i referendumit - në këtë rast Kuvendi - kishte të drejtë të emërojë përfaqësues për të vëzhguar në vendvotime, por vendosi të mos e bëjë këtë.
Për informata plotësuese, kontaktoni:
Thomas Rymer, OSCE/ODIHR, +389 72 443 791 ose +48 609 522 266, thomas.rymer@odihr.pl
Bogdan Torcatoriu, PACE, +33 6 50 39 29 40, bogdan.torcatoriu@coe.int