Zgjedhjet lokale u administruan në mënyrë efikase dhe ishin me konkurrencë të lartë, por fusha e garimit nuk ishte gjithmonë e barabartë, thonë vëzhguesit
SHKUP, 25 mars 2013 – Zgjedhjet lokale në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ishin me konkurrencë të lartë dhe u administruan në mënyrë efikase, por mbulimi partiak mediatik dhe mosndarja e qartë e aktiviteteve shtetërore dhe atyre partiake jo gjithmonë ofruan mundësi të barabarta për garim, konkluduan vëzhguesit ndërkombëtarë të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (ODIHR) dhe të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në deklaratën e lëshuar sot.
“Zgjedhjet u ofruan kandidatëve mundësi për ta zhvilluar fushatën e tyre në mënyrë të lirë e poashtu edhe fushata ishte aktive,” tha ambasadori Geert-Hinrich Ahrens (Gjermani), Shefi i Misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve. “Në të njëjtën kohë, misioni ynë pranoi akuza të besueshme për frikësimin e votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve gjatë gjithë fushatës.”
“Me disa përjashtime, në vendvotimet që u vizituan nga vëzhguesit e Kongresit, zgjedhjet u mbajtën në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente më të mëdha”, tha Jüri Landberg (Estoni), Shefi i Delegacionit të Kongresit.” Ka disa shqetësime sa i përket situatës me mediumet, jo vetëm në lidhje me këto zgjedhje, por edhe në një kontekst më të gjerë. Mediumet pluraruiste dhe gazetarët që mund ta kryejnë funksionin e tyre në shoqëri janë vitale për demokracinë.”
Korniza ligjore e zgjedhjeve është gjithpërfshirëse, ndonëse reformat e mëtejme janë të domosdoshme për t’i trajtuar zbrazëtirat në Kodin Zgjedhor, thuhet në deklaratë. Komisioni Shtetëror Zgjedhor punoi në mënyrë efikase dhe transparente, duke iu përmbajtur afateve kohore zgjedhore, por ndonjëherë votoi i ndarë në baza partiake ose etnike, që ndikoi negativisht në paanshmërinë dhe kolegialitetin e tij.
Fshirja e rreth 119,000 qytetarëve nga lista zgjedhore e votuesve para këtyre zgjedhjeve, për shkak të mospasjes së letërnjoftimit ose pasaportës biometrike, u përkrah nga të gjitha partitë kryesore. Edhe pse kishte besim të shtuar në saktësinë e listës zgjedhore të votuesve, vazhduan të parashtrohen ankesa, duke përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve. Është e dobishme të përmirësohen procedurat për përgatitjen dhe mirëmbajtjen e listave.
Shumë palë u thanë vëzhguesve se nuk kishin besim në procedurat për ankim dhe në gjyqet, dhe kishte numër minimal të ankesave të parashtruara në gjyqe. Mungesa e procedurave të qarta për trajtimin e ankesave parazgjedhore nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk garanton procedurë efektive për ankuesit.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, edhe pse u vërejtën disa parregullsi procedurale, duke përfshirë rastet e votimit grupor. Shumica e rasteve të numërimit të votave dhe mbledhje e rezultateve u vlerësuan pozitivisht.
Për informata më të hollësishme kontaktoni:
Thomas Rymer, OSBE/ODIHR, +389 72 209 788 ose +48 609 522 266, thomas.rymer@odihr.pl
Renate Zikmund, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës,
+33 659 786 455, renate.zikmund@coe.int