Stafi i OSBE-së dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile këmbejnë përvoja mbi monitorimin e proceseve gjyqësore në takimin në Shkup
Profesionistë juridik nga shtatë prezenca të OSBE-së në terren dhe përfaqësues të 29 organizatave joqeveritare nga rajoni i OSBE-së këmbyen përvojat e tyre mbi monitorimin e proceseve gjyqësore në takimin e organizuar nga Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR) dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, nga 24 deri më 26 prill 2017 në Shkup.
Takimi vjetor mbi monitorimin e proceseve gjyqësore solli gjithsejtë 54 pjesëmarrës, përfshirë 34 femra dhe 20 meshkuj, të cilët diskutuan mbi sfidat lidhur me qasjen në gjyqësor dhe lëndët gjyqësore si dhe monitorimin e lëndëve të profilit të lartë dhe atyre që i përfshijnë grupet e cenueshme, siç janë të miturit dhe pakicat etnike.
“Monitorimi i proceseve gjyqësore është i rëndësishëm për ta vlerësuar pajtueshmërinë me standardet për gjykim të drejtë dhe për të detektuar segmentet ku nevojitet përmirësim i mëtejshëm”, tha Ambasadorja Nina Suomalainen, Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup. Ajo shtoi se në vitin 2016 Misioni ka monitoruar më shumë se 100 seanca gjyqësore për lëndë të profilit të lartë, kurse gjithsejtë 450 seanca penale janë monitoruar nëpërmjet partnerit të vet zbatues, koalicionin e OJQ “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Maria Alcidi, Oficere për sundimin e së drejtës pran ODIHR-it, theksoi se “veçanërisht në rast kur gjyqësori vepron nën presion enorm nga mediat dhe opinioni publik, siç janë rastet kur duhet punuar me pasoja nga krime veçanërisht të dhunshme, monitorimi i proceseve gjyqësore mund të sigurojë një vlerësim objektiv mbi drejtësinë procedurale”.
“Në rajonet e post-konfliktit, ku shoqëria është e ndarë mbi baza etnike, monitorimi i krimeve të luftës mund të paraqet një masë të fuqishme për ndërtimin e mirëbesimit”, tha Gojko Pantoviq, Oficer nacional për çështje juridike nga Misioni i OSBE-së në Serbi.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e ODIHR-it me pjesëmarrësit këmbyen planet e tyre për aktivitetet e ardhshme rajonale në fushën e sundimit të së drejtës, përfshirë punën me këshillat gjyqësor për ta promovuar rolin e tyre në mbështetjen e pavarësisë së gjyqësorit.
Për më shumë se një dekadë të tërë, ODIHR-i organizon Takime vjetore mbi monitorimin e proceseve gjyqësore me qëllim të vendosjes së një platforme për të këmbyer praktika të mira dhe sfida në monitorimin e proceseve gjyqësore për profesionistët juridik nga prezencat e OSBE-së në terren dhe shoqëria civile. Ky aktivitet është pjesë e punës më të gjerë të kësaj Zyre për të siguruar asistencë më të mirë për shtetet pjesëmarrëse në zhvillimin e sistemeve të drejtësisë të cilat udhëhiqen nga parimi i sundimit të së drejtës dhe respektojnë të drejtën për gjykim të drejtë.