Misioni i OSBE-së në Shkup publikon gjetjet dhe rekomandimet mbi rininë dhe sigurinë në Maqedoninë e Veriut
Shkup, shtator 2024 – Misioni i OSBE-së në Shkup ka publikuar hulumtimin gjithëpërfshirës mbi “Rinia dhe Siguria: Perceptimet, qëndrimet dhe sfidat e të rinjve në Maqedoninë e Veriut” duke hedhur dritë mbi shqetësimet, perceptimet, sfidat dhe pritjet të rinisë në vend në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen.
Hulumtimi shpalosë njohuri të rëndësishme për politikëbërësit, institucionet relevante në të gjitha nivelet, edukatorët, dhe organizatat e shoqërisë civile dhe sugjeron kornizë dhe rrugë konstruktive për zhvillim më të avancuar të politikave dhe implementimin e tyre.
Gjithashtu nënvizon rëndësinë e qasjes bashkëpunuese për të adresuar çështjet dhe shqetësimet të identifikuara përmes intervenimeve të synuara me synim të përfshirjes më të madhe të të rinjve në zhvillimin e politikave të bazuara në dëshmi në nivel lokal dhe atë kombëtar. Bashkëpunimi midis palëve të përfshira është thelbësor për të siguruar mjedis më të informuar, angazhuar dhe të sigurt për rininë në mbarë rajonin.
Hulumtimi u zhvillua në mbarë vendin në shtator dhe tetor të vitit 2023, përmes 1,235 sondazheve telefonike duke synuar të anketuarit të moshës 15 deri më 29 vjeç, si dhe fokus gupet dhe intervistat e palëve të interesuara. Analiza ngërthen një spektër të gjerë të shqetësimeve dhe përvojave në këto sfera kyçe:
1. Perceptimi i rinisë mbi sigurinë aktuale dhe nivelet e sigurisë dhe pritjet për pesë vitet e ardhshme. Numri më i madh i të anketuarve (54%) e konsiderojnë shtetin pjesërisht të sigurt ose tërësisht të sigurt, por ka dhe 17% të të rinjve të cilët mendojnë se ky shtet nuk është vend i sigurt. Më shumë se një e katërta (27%) mendon se situata do të përkeqësohet. Veçanërisht, vajzat e reja raportojnë se ndjehen më pak të sigurta në dallim me bashkëmoshatarët e tyre djem, dhe pabarazitë rajonale janë të dukshëm, posaçërisht në rajonin verilindor.
2. Njohuria dhe pjesëmarrja e rinisë në Proceset Paqësore formale dhe joformale: Studimi zbulon dituri dhe njohuri shumë të ulët konceptuale të ndërtimit të paqes, me vetëm 26% të të anketuarve që e kuptojnë këtë koncept, dhe 87% pa ndonjë njohuri të aktiviteteve të sigurisë për ndërtimin e paqes nga ana e autoriteteve. Angazhimi në nismat e paqes dhe sigurisë duket se është në nivel të ulët, me 6% të të rinjve të cilët në mënyrë aktive kanë marr pjesë në aktivitete të këtij lloji gjatë vitit të kaluar. Duhet cekur nevojën e theksuar për ndërgjegjësim dhe përfshirje më të madhe të rinisë në përpjekjet për ndërtimin e paqes.
3. Niveli i ndërgjegjësimit të rinisë për Luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit dhe qëndrimet ndaj riintegrimi: Përderisa 53% e të anketuarve nuk e perceptojnë radikalizimin si çështje të rëndësishme në komunitetet e tyre, 38% shprehin shqetësimet lidhur me prezencën e të njëjtit. Motivuesit kryesor të radikalizimit të identifikuar përfshijnë faktorët politik, pabarazitë ekonomike dhe religjionin. Madje, duket se ka hezitim të theksuar tek të rinjtë për të mbështetur riintegrimin e ekstremistëve të mëparshëm, me 43% hezitim për mbështetjen e risocializimit të individëve të dënuar.
4. Perceptimi dhe përvoja e rinisë me të gjitha format e dhunës: 59% e të anketuarve konsiderojnë se dhuna tek të rinjtë është “tërësisht prezentë”. Gati një nga pesë persona të rinj (18%) të përfshirë në këtë hulumtim kanë përjetuar apo dëshmuar dhunë ose të dyja. Djemtë e rinj duket se kanë përjetuar më shumë dhunë fizike, në krahasim me vajzat e reja (80% krahas 66%), përderisa vajzat e reja kanë përjetuar apo dëshmuar më tepër dhunë verbale në krahasim me djemtë e rinj (84% krahas 76%). Për më tepër, ky studim nxjerrë në pah një trend shqetësues të dhunës nëpër shkollat, ku 81% të të rinjve (të moshës 15-18) kanë raportuar përvojë apo dëshmi të dhunës në mjediset shkollore.
5. Ngacmimi kibernetikë: Gati gjysma e të të anketuarve (42%) në hulumtimin ndihen “të sigurt” ose “tërësisht të sigurt” kur përdorin internetin, përderisa 20% nuk ndihen ashtu. Një përqindje relativisht e madhe e të anketuarve (38%) ndihen “as të sigurt, e as të rrezikuar”. Kjo mund të sugjeroi se mund të nevojitet hulumtim i mëtutjeshëm mbi shkaqet për perceptimet e tilla, si dhe mundësisht, ndërgjegjësim plotësues mbi sigurinë kibernetike.
6. Përjashtimi dhe diskriminimi: Afër një e treta (31%) e të anketuarve kanë identifikuar përkatësinë etnike si motivi kryesor i diskriminimit dhe përjashtimit, ndjekur nga statusi ekonomik dhe përkatësia politike. Ndërkohë, 11% e të anketuarve kanë deklaruar të kenë përjetuar diskriminim personal. Vajzat e reja duket të kenë qenë subjekt i diskriminimit më shumë se djemtë e rinj, e njëjta vlen dhe për të rinjtë e komunitetit rom në krahasim me të rinjtë shqiptar dhe maqedonas. Hulumtimi shfaq një zbrazëti të rëndësishme në përfshirjen e rinisë në proceset vendimmarrëse në nivelet lokale dhe institucionale.
7. Besimi tek autoritetet dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve: Besimi tek institucionet duket të jetë përgjithësisht i ulët, ku qeveria dhe liderët politik kanë fituar vlerësim veçanërisht të dobët. Besim më të lartë duket se gëzojnë Policia, liderët fetar, dhe organizatat e shoqërisë civile. Rinia duket se ka vlerësim të ndarë mbi nivelin e besimit tek personat nga përkatësitë e ndryshme etnike, ku 57% kanë shprehur në përgjithësi besim të kufizuar në personat me përkatësi të ndryshme etnike, dhe 43% janë shprehur se ju besojnë atyre. Megjithatë, vlerësimi i përgjithshëm i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërmjet komuniteteve është më pak përçarës, ku 46% e kanë vlerësuar si “as keq, e as mirë” dhe 41% me mirë.
Për qasje në tërë hulumtimin, ju lutemi vizitoni linkun më poshtë.