Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Punëve të Brendshme shpalosin objektin e renovuar të Njësisë së Policisë K9
SHKUP, 14 qershor 2023 — Misioni i OSBE-së në Shkup shpalosi sot në Hipodrom, në periferi të Shkupit, një ndërtesë administrative të rinovuar për Njësinë Policore të Qenve (K9) të Maqedonisë së Veriut. Misioni ndihmoi në pajisjen e ndërtesës me infrastrukturë moderne të mbikëqyrjes së teknologjisë informatike dhe ofroi sisteme të sigurta të kontrollit të qasjes n në objektin e ruajtjes së armëve për personelin e autorizuar. Këto përpjekje ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të punës për oficerët e policisë, duke i bërë ata më të pajisur për t'iu përgjigjur kërcënimeve të shfaqura, si dhe për të siguruar vendosjen efikase të qenve të shërbimit policor.
“Rinovimi i këtij objekti është një dëshmi e prekshme, efektive dhe e dukshme për atë se çfarë mund të ofrojë bashkëpunimi strategjik dhe mbështetja bujare. Dua të shfrytëzoj këtë rast për të nënvizuar vlerën e ndërtimit të rrjeteve dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve të përfshira. Kjo kontribuon në ndërtimin e besimit, i cili është i nevojshëm për të zbutur rrezikun e përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta,” tha Kilian Wahl, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi se si objektet e renovuara do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve të tyre.
“Çështja e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta dhe municionit është e një rëndësie të madhe për të gjithë ne. Ky projekt kontribuon në forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në ngritjen e njohurive dhe shkathtësive të reja, ngritjen e profesionalizmit të punëtorëve, e me këtë edhe rritjen e sigurisë së qytetarëve,” theksoi Spasovski.
Renovimi i ndërtesës së re është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Misionit për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (ALV). Kjo përfshin forcimin e kapaciteteve operacionale të Njësisë K9 të Policisë së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që ato të jenë më të pajisura për të identifikuar AVL-të në pikat kufitare dhe brenda vendit. Rezultatet e kësaj nisme deri më tani përfshijnë zhvillimin e një procedure standarde operative dhe një manual trajnimi për të punuar dhe kujdesur për qentë e policisë, si dhe dhurimin e 14 automjeteve të specializuara dhe tre rimorkiove për të ndërtuar një njësi K9 plotësisht funksionale dhe të shkathët. .
Kjo iniciativë u realizua përmes financimit të projekteve ekstra-buxhetore nga Belgjika, Franca, Gjermania, Norvegjia, Sllovakia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.