Fëmijëri e humbur: Një qasje gjithëpërfshirëse për të adresuar braktisjen e shkollës dhe martesat e hershme
Psikologë të shkollave, politikëbërës dhe ekspertë nga e gjithë Kosova u mblodhën për punëtorinë e dytë të Misionit të OSBE-së në Kosovë për reduktimin e braktisjes së shkollës dhe parandalimin e martesave të hershme.
E organizuar në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, si dhe vazhdimësi e punëtorisë së parë të mbajtur në dhjetor 2024, ky aktivitet kishte për qëllim thellimin e të kuptuarit se si ndërlidhen braktisja e shkollës dhe martesat e hershme. Punëtoria shërbeu si platformë për diskutimin e strategjive për parandalimin dhe adresimin e këtyre çështjeve, si dhe theksoi rolin e psikologëve të shkollave në identifikimin e shenjave të hershme dhe ofrimin e udhëzimeve për ata që preken nga kjo dukuri.
Këto punëtori vijnë nga plani i veprimit të Grupit Punues Ndërinstitucional për Parandalimin dhe Raportimin e Martesave të Hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës, i themeluar në fund të vitit 2023 përfshin një spektër të gjerë të palëve të interesuara. Misioni ka mbështetur drejtpërdrejt ose tërthorazi aktivitetet e planit të veprimit, siç janë ngjarjet edukative, ngritja e vetëdijes dhe ofrimi i transportit për anëtarë të grupeve për në komuna.
“Martesa e hershme do të thotë fëmijëri e humbur dhe ëndrra të lëna përgjysmë”, tha Cornelia Taylor, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve. “Për këta fëmijë, kjo nënkupton largim tejet të hershëm nga shkolla, nënkupton që bëhen prindër shumë herët dhe marrin përsipër përgjegjësitë e të rriturve përpara se të jenë gati - fizikisht, emocionalisht ose mendërisht. Kjo shpesh çon në shtatzëni të hershme, gjendje të dobët shëndetësore, dhunë në familje e edhe humbje të potencialit.”
Komunitetet e margjinalizuara preken më së shumti
Braktisja e shkollës dhe martesat e hershme në Kosovë prekin në mënyrë joproporcionale komunitetet jo-shumicë, sidomos romët, ashkalitë dhe egjiptianët e Kosovës. Sipas një raporti të Misionit të OSBE-së në Kosovë të publikuar në mars 2024, martesa e hershme është një nga arsyet kryesore për braktisjen e shkollës, krahas faktorëve si transporti i papërballueshëm ose i padisponueshëm, brengat e sigurisë, barra financiare, çështjet shëndetësore, diskriminimi dhe vendimet e prindërve.
Nga numri i përgjithshëm i braktisjeve të shkollës në Kosovë, 99% i përkasin komuniteteve të margjinalizuara jo-shumicë: Romë të Kosovës (13%), ashkali të Kosovës (43%) dhe egjiptianë të Kosovës (43%). Për krahasim, vetëm 1% e atyre që braktisin shkollat janë nga komuniteti shqiptar i Kosovës.
Duke diskutuar mbi fëmijët më të prekur nga braktisja e shkollës dhe martesat e hershme, Elizabeth Gowing, Këshilltare për Komunitete në Zyrën e Kryeministrit, theksoi: “Braktisja e shkollës dhe martesat e hershme janë tragjedi, pavarësisht se ku ndodhin. Pavarësisht se cilit komunitet i përket fëmija, fëmija është fëmijë, ndërsa ne jemi këtu për të mbrojtur të gjithë fëmijët.”
“Mbi 30% e vajzave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës martohen para moshës 18 vjeçare. Kjo do të thotë që çdo të dytën ose të tretën ditë martohet një vajzë nën 18 vjeç. Ky nuk është një problem vetëm për vajzat - dukuria prek edhe djemtë, të cilët shpesh janë nën 18 vjeç”, shtoi ajo.
Efekte me ndikim të gjerë
Krahas të qenit problem shoqëror, martesat e hershme ndikojnë negativisht në BPV dhe në rritjen e përgjithshme ekonomike, pasi ato shpesh çojnë në pjesëmarrje më të dobët në fuqi punëtore, si dhe fokusim në përgjegjësitë shtëpiake.
Ardita Ymeri-Azemi, psikologe në shkollën Eqrem Qabej në Vushtrri, theksoi pasojat e shumta: “Një nënë që martohet e re nuk është e përgatitur emocionalisht, psikologjikisht, shoqërisht apo financiarisht. Nëse ajo vetë nuk është e papërgatitur, çfarë mund t'i ofrojë fëmijës së saj? Jeta po bëhet më kërkuese në secilin aspekt - arsimor, social dhe ekonomik. Pa pasur bazën solide ajo vetë, si mund të sigurojë stabilitet për fëmijën e saj? Gjëja thelbësore këtu është se fëmija predispozohet që të neglizhohet dhe të mos jetë i barabartë.”
Duke theksuar se psikologët e shkollës luajnë rol jetik në parandalimin e braktisjes së shkollës dhe martesave të hershme, Ymeri-Azemi theksoi se ata nuk mund të mbajnë përgjegjësi të vetme.
“Parandalimi i martesave të hershme është një çështje komplekse që kërkon angazhimin e palëve të shumta dhe përgjegjësi të përbashkët. Kjo fillon me familjen dhe deri tek mësuesit, arsimtarët kujdestarë, psikologët e shkollës dhe shkollat si institucione. Nëse shkollat me ekipe multidisiplinare nuk mund ta adresojnë këtë çështje, atëherë institucionet e tjera duhet të ndërhyjnë – si Qendrat për Mirëqenie Sociale dhe drejtoritë komunale të arsimit – duke shfrytëzuar të gjitha ndërhyrjet e mundshme.”
Duke reflektuar në punëtori, Ymeri-Azemi shtoi: “Më pëlqeu diskutimi i sotëm. Nuk isha në dijeni të statistikave dhe ato janë thellësisht shqetësuese – sidomos duke ditur që vajzat e reja janë më të prekurat. Ajo që më duket posaçërisht e rëndësishme janë strategjitë e intervenimit. Më qetëson fakti që shoh se kjo çështje ka filluar të merret seriozisht dhe që po shfaqet një qasje e strukturuar, duke përfshirë kornizën ligjore, masat psiko-edukative dhe përgjegjësitë e përbashkëta. Ky është një fillim premtues.”
Rëndësia e bashkëpunimit
Në fjalimet e tyre, si Taylor ashtu dhe Gowing, theksuan këto qëndrime. "Nëse ka një fjalë që do të theksoja nga diskutimi i sotëm, është "partneriteti". Bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve, shkollave dhe ekipeve që punojnë për të parandaluar braktisjen e shkollës dhe martesat e hershme është thelbësor. E shoh që jeni të përkushtuar për të shkëmbyer ide dhe për të mbështetur njëri-tjetrin, ndërsa ne jemi të gatshëm t'ju ofrojmë këto forume diskutimi”, tha Gowing.
Taylor theksoi rolin vendimtar që luajnë psikologët në të gjithë zinxhirin e parandalimit të braktisjes së shkollës. “Roli juaj si psikologë në parandalimin e dukurisë është kaq i rëndësishëm! Shkollat që kanë psikologë janë më të pajisura për t’i mbështetur fëmijët, për të zbuluar shenjat paralajmëruese, për të folur me nxënësit dhe prindërit dhe për të intervenuar kur një vajzë fillon e shkëputet nga shkolla,” shtoi ajo.
“Të vetëm, psikologët nuk mjaftojnë në këtë proces, por janë thelbësor. Kjo nuk funksionon pa ju. Kjo është arsyeja pse duam të dëgjojmë nga ju - dhe ju falënderojmë për punën e rëndësishme që bëni në mbrojtjen e fëmijëve tanë", përfundoi Gowing.