Nevojitet vigjilencë dhe proces i rregullt për të ruajtur progresin në lirinë e medias
Ambasador Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë
Që nga viti 1999 OSBE-ja ka luajtur rol kyç në mbështetjen e zhvillimit të një mjedisi të gjallërishëm dhe të larmishëm mediatik në Kosovë. Ne kemi mbështetur lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe kemi ndihmuar në hartimin dhe avancimin e ligjeve dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me mediat në Kosovë. Kjo përfshinte edhe ndihmën e ofruar në hartimin dhe zbatimin e ligjeve që garantojnë lirinë e shprehjes, qasjen në informacion dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.
Mjedisi mediatik është zhvilluar shumë që nga mbështetja jonë fillestare më 1999 dhe në fillim të viteve të 2000-ta. Kur erdha në Kosovë, në mars të vitit 2021, si Shef i ri i Misionit, u gëzova që gjeta një peizazh mediatik jashtëzakonisht të larmishëm dhe kur pashë ngritjet e vazhdueshme të Kosovës në renditjen botërore për liri të medias. Në fjalën time me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në muajin maj, theksova rëndësinë thelbësore të mediave të pavarura dhe të lira, në mbështetje të transparencës dhe llogaridhënies, pa të cilat nuk mund të lulëzojnë qeverisja e mirë dhe demokracia.
Duke i pasur parasysh këto qëllime, por edhe si pjesë e mandatit tonë nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së për të punuar në zhvillimin e mediave lokale, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kontribuuar në ndërtimin e një kuadri demokratik për licencimin e transmetuesve dhe vetë-rregullimin e mediave, mbështetur me legjislacionin e nevojshëm. Siç mund të mbani mend, OSBE-ja fillimisht e realizoi këtë drejtpërdrejti përmes emërimit të Komisionerit të Përkohshëm për Media, i cili, në periudhën nga 2000 deri 2005, ka shërbyer si rregullator i vetëm i mediave. Aranzhimet institucionale kanë evoluuar përgjatë viteve dhe OSBE-ja më vonë mbështeti krijimin e institucionit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në vitin 2006. Këto aranzhime efektivisht konsoliduan tiparet kyçe të kuadrit të mjedisit të mediave të lira në Kosovë.
Më 2008, KPM-ja u përfshi në kuadër të Kushtetutës duke garantuar statusin e saj si institucion i pavarur. Anëtarët e KPM-së zgjidhen nga Kuvendi dhe të njëjtit duhet t’i kryejnë rolet e tyre në mënyrë jopolitike, me fokus në çështjet rregullative të mediave me pavarësi dhe paanshmëri, në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse. Bordi i KPM-së ka në fokus çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave, përfshirë licencimin e transmetuesve, përcaktimin e standardeve etike, monitorimin e përmbajtjes dhe trajtimin e shkeljeve apo ankesave në lidhje me operacionet mediatike. Aktualisht, KPM-ja licencon dhe rregullon 89 radio stacione dhe 18 televizione me frekuenca tokësore, 116 televizione kabllore dhe 36 operatorë të shërbimeve kabllore.
Në takimin tim të parë me përfaqësues të KPM-së, më 2021, ne mesin e institucioneve të tjera mediatike, përkushtimi i shfaqur nga ta për rolin e tyre për t’i shërbyer qytetarëve dhe për ta ruajtur këtë peizazh mediatik pluralist, të larmishëm dhe profesional në Kosovë më dha inkurajim shtesë. Gjatë këtyre viteve kemi punuar me KPM-në për ta ndihmuar atë në zhvillimin e kapaciteteve për të përmbushur mandatin e saj. Kjo ka përfshirë mbështetjen për promovimin e rolit të KPM-së në rregullimin e mediave audio-vizuale, respektimin e kodeve të sjelljes dhe standardeve të raportimit profesional, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për përdorimin e mençur të mediave për t’i identifikuar lajmet e rreme, dezinformatat dhe llojet e tjera të raportimit të paligjshëm.
Gjithashtu, Misoni ynë ka qenë aktivisht i përfshirë në mbështetjen e ndryshimeve e plotësimeve në ligjin për KPM-në për ta harmonizuar atë me praktikat dhe standardet më të mira evropiane. Ligji aktual për KPM-në përcakton kompetenca të përgjithshme e të mjaftueshme rregullatore, zbatuese dhe monitoruese për të siguruar pluralizëm dhe konkurrencë në treg. Aktualisht është duke u punuar në ndryshimin e plotësimin e ligjit për KPM-në për ta harmonizuar atë më tej me Direktivën e BE-së për Shërbimin Mediatik Audio-Vizual. Duke pasur parasysh këtë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka avokuar për disa ndryshime kyçe të këtij ligji, përfshirë rregullime më të rrepta lidhur me përmbajtjen, sigurimin e mbrojtjes për të miturit, parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe trajtimin më efektiv të informacioneve të dëmshme ose mashtruese.
Së fundmi, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve kanë marrë vendim për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të Klan Kosova SHPK. Kjo ishte hera e parë në Kosovë që certifikata e biznesit të një transmetuesi pezullohet në mënyrë të tillë, duke ngritur pyetjen nëse pezullimi i certifikatës së biznesit mund të çojë në revokim të licencës së transmetimit të Klan Kosovës. Gjithashtu, një hap i tillë do të ishte i paprecedentë. Prandaj, është thelbësore që, përtej sigurimit të respektimit të procesit të rregullt sipas ligjit, të konsiderohen me kujdes implikimet e plota të një hapi të tillë për lirinë e medias dhe pavarësinë e organeve rregullatore të medias.
Prandaj, më erdhi mirë kur pashë njoftimin e KPM-së, më 16 qershor, me të cilin shtyhej vendimi për 30 ditë, duke i dhënë kohë Klan Kosovës dhe Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve që t’i adresojnë të gjitha çështjet e ngritura. Është e domosdoshme që, në vendimmarrjen e tyre, Ministria dhe Agjencia të sigurojnë proces të rregullt dhe respektim të sundimit të ligjit, dhe në të njëjtën kohë të kenë parasysh që zbatimi i kritereve të arsyeshme ligjore nuk duhet të krijojë kërcënim të pajustifikuar për ushtrimin e lirisë së medias, siç garantohet me Kushtetutë.
Ky është rast i rëndësishëm i cili do të përcillet nga afër si në Kosovë ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, siç është dëshmuar nga reagimet e shumta që kemi parëm deri më tash. Është thelbësore që të gjitha institucionet relevante t’i kenë parasysh implikimet më të gjera. Progresi i fuqishëm i Kosovës në lirinë e mediave nuk duhet të rrezikohet me vendime të nxituara. Nuk duhet bërë asgjë që do të mund ta vinte në dyshim skenën e larmishme, të gjallërishme dhe pluraliste mediatike të ndërtuar në Kosovë përgjatë më shumë se dy dekadave.