Në hap me botën digjitale përmes edukimit mediatik
Në botën e sotme digjitale gjithnjë në zhvillim dhe me internetin si burim kryesor i informacionit, të rinjtë në Kosovë e kanë të domosdoshëm edukimin mediatik për të shfletuar në mënyrë të sigurt faqet e shumta e komplekse të mediave online dhe për të pasur qasje kritike ndaj përmbajtjes që lexojnë.
Përmbajtja e pafund në internet i ekspozon të rinjtë ndaj rreziqeve të ndryshme, për arsye se lajmet e rreme, përfshirë materialet e pafiltruara në platformat e rrjeteve sociale që përdoren nga të rinjtë, janë po ashtu në rritje dhe nuk ka asnjë mekanizëm për t’i mbrojtur ata nga efektet e mundshme të asaj përmbajtjeje.
Për t’u përballur me këtë kërcënim, Misioni i OSBE-së në Kosovë ndërmori nismën e parë të edukimit mediatik në 2016, kryesisht me fokus në përfshirjen e edukimit mediatik dhe të informacionit si lëndë bazë në të gjitha nivelet e arsimit, nga shkollat deri te universitetet. Në 2017, kjo lëndë u përfshi në kurrikulat bërthamë të Ministrisë së Arsimit për nivelin parauniversitar, duke u mundësuar mësimdhënësve ofrimin e edukimit mediatik si lëndë zgjedhore.
OSBE e plotësoi këtë aktivitet me nisma të tjera që përfshijnë punën e drejtpërdrejtë me nxënës, mësues dhe publikun përmes punëtorive, programeve televizive edukative dhe fushatave të ndërgjegjësimit.
Angazhimi i nxënësve përmes aktiviteteve plotësuese
E fundit në serisë e aktiviteteve të shumta të Misionit të OSBE-së janë 10 punëtori për nxënës të shkollave të mesme që u mbajtën në prill 2023 në shkolla të ndryshme anembanë Kosovës. Së bashku me DokuFest, Misioni angazhoi Profesor Alban Zenelin nga Departamenti i Gazetarisë për t’i mësuar rreth 400 nxënës si të përdorin me kujdes teknologjinë dhe rrjetet sociale dhe si të zbërthyer mesazhe komplekse mediatike.
Pas përfundimit të punëtorive, nga zyra e tij në Universitetin e Prishtinës, Profesor Zeneli thotë se këto lloj aktivitetesh janë element i rëndësishëm shtesë për të cilin të rinjtë sot kanë nevojë. “Këta studentë kalojnë shumë kohë në rrjete sociale, por në shkollat publike nuk marrin shumë informacion se si të sillen me atë përmbajtje digjitale, andaj unë i shoh këto punëtori si komplementare në shkollimin e tyre formal,” thotë ai.
Profesor Zeneli theksoi se ka vërejtur tre elemente kryesore nga ligjeratat e tij te gjimnazistët.
“Elementi i parë është se rinia jonë është e aftë t’i zhvillojë shkathtësitë e edukimit mediatik, por shumëçka varet nga puna që mësimdhënësit e tyre e bëjnë me ta. Kushtet e shkollave publike në Kosovë janë pak a shumë të njëjta, por ka një dallim të madh nga shkolla në shkollë në atë se sa të përgatitur janë fëmijët varësisht nga puna dhe përkushtimi i mësimdhënësve të tyre.
Si element të dytë Zeneli përmend përdorimin e mediave sociale, kryesisht TikTok, 4 deri 6 orë në ditë. “Ky dominim i TikTok-ut do të thotë se janë duke u promovuar vlerat që nuk janë medoemos demokratike dhe që nuk janë tipike për shoqërinë tonë. Nga kjo ata rrezikojnë të përfundojnë brenda një fluske të mendimit dhe të bien në kundërshti me pjesën tjetër të shoqërisë.”
Përtej kësaj, sipas Zenelit, sfida kryesore e të rinjve në Kosovë mbetet paaftësia për ta dalluar faktin nga opinioni. “Ky është element bazik dhe mund të them që shumica e të rinjve që i kam takuar nuk mund të bëjnë dallimin mes faktit dhe opinionit. Kjo bëhet problematike në rastet e dezinformimit, të cilat kanë më shumë opinione se fakte.”
Punëtoritë e Misionit të OSBE-së kanë për qëllim pikërisht trajtimin e këtyre çështjeve. Në një listë temash të përzgjedhura me kujdes së bashku me OSBE-në dhe DokuFest-in, Profesor Zeneli përfshiu, mes tjerash, shembuj të lajmeve të vërteta kundrejt atyre të rreme, dezinformimin, karremat për klikime (clickbait), varësinë në mediat sociale, reklamat dhe gjuhën e urrejtjes. Përmes punëtorive të ngjashme për grupe të ndryshme të të rinjve dhe komuniteteve në vitet që lamë pas, Misioni i OSBE-së deri më tani ka trajnuar në këto tema mbi 1,000 studentë dhe mbi 1,000 nxënës të shkollave të mesme.
Nga mësimdhënësit te nxënësit
Në një bashkëpunim tjetër me DokuFest, Misioni i OSBE-së në maj 2023 mbajti një punëtori tjetër vjetore, të gjashtën me radhë, për konceptet e edukimit mediatik dhe metodat inovative për mësimdhënës të shkollave të mesme nga e tërë Kosova. Kjo seri punëtorish ka në fokus mësimin në klasë, përfshirë përdorimin e materialeve vizuale dhe filmave dokumentarë. Që nga 2018, rreth 85 mësimdhënës kanë qenë pjesëmarrës të këtij trajnimi.
Sipas Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorit Michael Davenport, qëllimi kryesor i këtyre punëtorive është të përmirësohen shkathtësitë e edukimit mediatik të nxënësve përmes trajnimit të mësimdhënësve të tyre në këtë temë.
Shpres Zeka Karanezi, mësimdhënëse e një shkolle të mesme në Prizren, pjesëmarrëse në punëtorinë e vitit të kaluar, thotë se aktualisht shumica e të rinjve e marrin informacionin si të mirëqenë, dhe rrallëherë kanë mendim kritik në situata të caktuara.
“Është i domosdoshëm modifikimi i metodave të vjetra të mësimdhënies. Përdorimi i filmit dokumentar dhe qasja e duhur me të rinjtë janë mjete të jashtëzakonshme për të inkurajuar mendimin kritik dhe unë veçse kam filluar t’i përfshij disa tema dhe mjete të caktuara në klasën time,” thotë ajo.
Profesor Zeneli thekson se shkollat publike në Kosovë kanë shumë mangësi në mësimin e shkathtësive që nxënësve dhe studentëve u duhen sot në mediat digjitale, veçanërisht në mediat sociale, si dhe nuk u sigurojnë atyre informatat dhe mjetet e nevojshme se si t’i qasen përmbajtjes digjitale.
“Punëtori të ngjashme me ato të OSBE-në dhe DokuFest-it duhet të përsëriten me arsyen e vetme se arsimi formal aktualisht nuk i përfshinë këto shkathtësi të domosdoshme për të rinjtë tanë,” theksoi ai.
Synimi përfundimtar: përfshirja e edukimit mediatik në arsimin formal
Ambasadori Davenport thekson se synimi i Misionit të OSBE-së është integrimi i edukimit mediatik si lëndë bazë në të gjitha nivelet e arsimit, nga shkollat deri te universitetet.
Është arritur progres i ndjeshëm në disa shkolla të mesme në Prishtinë, me futjen e edukimit mediatik në kurrikulat e tyre mësimore. Përveç kësaj, edukimi mediatik është futur gradualisht si lëndë zgjedhore në universitetet publike në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe më vonë në Mitrovicë të Jugut.
Për më tepër, planet aktuale të studimit në universitetet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës, zbatimi i të cilave ka filluar më 2011, parashohin mësimin e kësaj lënde si shkathtësi e detyrueshme për të gjithë studentët nga viti 2023/2024 e tutje. Kjo do t’iu mundësojë atyre të analizojnë mediat në mënyrë kritike në jetën dhe komunitetet e tyre, por edhe t’i përgatisë për karrierat e tyre.
Profesor Zeneli thotë se Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës veçse ka futur në programin e tij lëndën e edukimit mediatik. “Që nga viti 2009 ne e kemi lëndën e edukimit mediatik në departamentin e gazetarisë, fillimisht si lëndë zgjedhore dhe më vonë si lëndë të detyrueshme. Ajo vazhdon të jetë e detyrueshme për çdo student të gazetarisë”, thotë ai.
Përfshirja e të gjitha aspekteve
Megjithatë, Profesor Zeneli thekson nevojën për të mbuluar më shumë aspekte në përpjekjet me edukimin mediatik.
“Krahas arsimit formal, mendoj se shoqëria jonë duhet të punojë më shumë me ata që veçse kanë përfunduar shkollimin dhe ata duhet të përfshihen përmes organizatave të ndryshme joqeveritare, fushatave të ndërgjegjësimit dhe aktiviteteve të tjera joformale. Edhe mediat mund të luajnë rol të rëndësishëm,” thotë ai.
“Po flasim për personat që kanë përfunduar shkollimin në kohë kur këto probleme nuk kanë ekzistuar, kur nuk ka pasur media sociale, për disa gjenerata më të vjetra të cilat nuk kanë pasur as internet dhe ku komunikimi ka qenë i kufizuar në dy apo tre kanale mediatike. Ata kanë ditur si të sillen në ato mjedise. Mjedisi i sotëm mediatik është tërësisht i ndryshëm. Por, është edhe një aspekt tjetër i rëndësishëm, fakti që mediat sociale i japin çdokujt mundësinë që të flasë dhe të ketë mendim publik. Disa njerëz nuk e kuptojnë që kjo nënkupton edhe përgjegjësi publike.“
“Koncepti i mësimit tërë-jetësor sot është i domosdoshëm për shkak të zhvillimit teknologjik,” thotë ai.
Duke pasur parasysh pikërisht këtë gjë, përpjekjet e Misionit të OSBE-së përfshijnë një varg mjetesh për të arritur te sa më shumë njerëz, siç janë programet edukative televizive dhe fushatat e ndërgjegjësimit. Gjithashtu, Misioni ka mbështetur edhe përkthimin e teksteve shkollore të edukimit mediatik, hartimin e programit mësimor për studentët e universiteteve publike, furnizimin e bibliotekave universitare me literaturë relevante, si dhe organizimin e tryezave të rrumbullakëta dhe garave të ndryshme për të rinjtë.
Zgjidhja afatgjate
Përtej të gjitha përpjekjeve, Profesor Zeneli rithekson se zgjidhja afatgjate është përfshirja e edukimit mediatik si lëndë bazë në arsimin formal.
“Mendoj se edukimi mediatik duhet të jetë lëndë e veçantë dhe e detyrueshme në shkolla fillore, klasat 6-9, dhe shkolla të mesme, klasat 9-12. Unë besoj se, për të pasur ndikim përmes edukimit formal, këto duhet të jenë grupet e synuara”, thotë ai.
“Për më tepër, kjo është mosha kur ata përballen me sfidat më të mëdha, periudha kur ata formojnë identitetin e tyre dhe vlerat në të cilat besojnë.”