Përgatitja e zyrtarëve korrektues të Kosovës për të zgjidhur situatat e pengmarrjes në burgje
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përfunduar trajnimin njëjavor për 20 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) rreth negociatave në situata të pengmarrjes.
Nga ky ushtrim praktik të mbajtur në ambiente të burgut, zyrtarët mësuan për herë të parë rreth parimeve kryesore të komunikimit efektiv për negocim në situata të pengmarrjes dhe për menaxhim të krizave.
Roli i profilizimit psikologjik në negociata të pengmarrjes ishte gjithashtu pjesë e ushtrimit. Zyrtarët u njohën me tema si çrregullimet e personalitetit dhe sëmundjet mendore, të cilat janë të rëndësishme për punën e negociatorit/es.
Zyrtaret Sabile Xhuraj dhe Gjylinaze Kastrati nga Qendra Korrektuese e Grave në Lipjan dhe Qendra e Paraburgimit në Pejë, shprehën mirënjohje për këtë trajnim praktik. “Nëse do të ndodhë ndonjëherë një rast i tillë, besojmë se në bazë të asaj që përfituam nga ky trajnim do të ishim në gjendje që ta zgjidhim situatën në mënyrë paqësore”.