Barazia dhe siguria e grave me rëndësi parësore për paqe të qëndrueshme
Shkrim autorial i Ambasadorit Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas (për Qendrën Kosovare për Studime Gjinore)
Një fushë në të cilën Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar që nga themelimi i saj, e që vazhdon të jetë prioritet i lartë, është barazia gjinore dhe të drejtat e grave. Ndonëse gratë në Kosovë kanë punuar vazhdimisht dhe kanë avancuar në shkallën politike, duke e bërë kështu madje edhe kuotën gjinore të mbështetur nga OSBE në listat zgjedhore të partive politike të panevojshme tashmë, gratë mbeten kryesisht jashtë proceseve kryesore vendimmarrëse brenda vetë partive dhe në ato të qeverisjes lokale dhe qendrore.
Në vitin 2007, Misioni mbështeti futjen e kuotës gjinore në kodin zgjedhor, duke e bërë të detyrueshme për partitë politike përfshirjen e grave në listat e tyre, si dhe nismat në organet legjislative, ekzekutive dhe ligj-zbatuese për të inkurajuar përfaqësim më të fuqishëm të grave. Gratë kandidate u inkurajuan të aplikonin për pozicione ligj-zbatuese dhe Misioni e vuri si pikësynim mbështetjen për gratë që u bënë oficere policore gjatë dy dekadave të fundit. Misioni mbështeti miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore dhe u angazhua për ngritje të kapaciteteve dhe të institucioneve të të gjithë aktorëve përkatës ekzekutivë dhe legjislativë për barazinë gjinore dhe zbatimin e dispozitave ligjore në këtë drejtim.
Vendimmarrja dhe fuqizimi
Kuota gjinore ishte vetëm hapi i parë, pasuar nga bashkëpunimi i ngushtë me Kuvendin e Kosovës, kuvendet komunale, zyrtarët komunalë për barazi gjinore, e veçanërisht grupet e grave kuvendare për të promovuar përfshirjen e grave në procese vendimmarrëse.
Me këtë nivel angazhimi, Misioni ishte në gjendje të lansonte iniciativën Na Ndiqni në vitin 2012 – e cila përkon me fazat e hershme të dialogut Prishtinë-Beograd – që mblodhi së bashku deputetet nga Prishtina dhe Beogradi. Aty ne pamë që çështjet me të cilat ballafaqoheshin gratë deputete këtu ishin shumë të ngjashme me çështjet me të cilat ballafaqoheshin gratë lidere në Beograd. Kështu, ne punuam për t'i bërë ato bashkë në mënyrë që të mësonin nga njëra-tjetra dhe të thyenin barrierat mes tyre. Së bashku me gratë e shquara nga iniciativa Na Ndiqni, Misioni e krijoi më pas Akademinë e Dialogut të OSBE-së, duke mbledhur gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi përmes një programi vjetor për dialogun, pajtimin, fuqizimin e grave dhe udhëheqjen. Qëllimi i kësaj nisme është të fuqizojë zërat e grave dhe të sigurojë që pikëpamjet e tyre të dëgjohen në nismat aktuale dhe të ardhshme të dialogut. Ky program tani është zgjeruar në një rrjet të diplomuarave prej gati 200 grave të reja që shërbejnë si shembull për paqen dhe ndërtimin e besimit në shoqëritë përkatëse përmes iniciativave dhe avokimit të tyre të përbashkët.
Forca sigurie që e reflektojnë shoqërinë të cilën e mbrojnë
Studimet ndërkombëtare kanë treguar se proceset e ndërtimit të paqes ofrojnë një dritare kritike, gjegjësisht mundësi brenda një periudhe të shkurtër kohore për të adresuar pabarazitë gjinore dhe për të ndërtuar shoqëri konsideruese dhe të përgjegjshme ndaj të gjithëve. Po ashtu, hulumtimet akademike kanë treguar se integrimi i barazisë gjinore në reformën e sektorit të sigurisë sjell rezultate më të mira përmes rritjes së pronësisë lokale, duke përmirësuar besimin e publikut dhe duke ndihmuar në garantimin që shërbimet e drejtësisë dhe të sigurisë u përgjigjen nevojave të të gjithë qytetarëve. Prandaj, Misioni ka vazhduar të jetë zë, gjegjësisht avokat i zjarrtë i përfshirjes së grave në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe institucionet e sigurisë.
Misioni ka vazhduar të ndërtojë kapacitetet e Policisë së Kosovës, si një nga partnerët kryesorë të Misionit, duke mbështetur përfshirjen aktive të grave në të gjitha nivelet në këtë organizatë. Kjo është thelbësore për sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe për ta bërë forcën policore organizatë që përfaqëson edhe më mirë shoqërinë që e mbron.
Misioni gjithashtu ka ofruar trajnime për gratë police për punën policore në komunitet që merr në konsideratë aspektin gjinor, dhe duke promovuar diskutime mbi sigurinë e grave në komunitetet e tyre. Përmes këtyre forumeve, Misioni ka avokuar për një shërbim policor që është në gjendje t'u shërbejë të gjithë anëtarëve të shoqërisë dhe ti adresojë nevojat specifike të grave dhe vajzave.
Misioni themeloi Shkollën e Policisë, e njohur tani si Akademia e Kosovës për Siguri Publike, dhe Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës, e cila vepron si motor për promovimin e barazisë gjinore brenda strukturës policore. Misioni krenohet me faktin se Policia e Kosovës tani ka një Agjendë të miratuar gjinore dhe po punon për rritjen e barazisë gjinore, duke mbështetur zhvillimin e karrierës së grave dhe avancimin e tyre.
Fushat ku nevojitet përmirësim dhe rruga përpara
Sigurisht që ka pasur progres sa i përket barazisë gjinore, për shembull në numrin e posteve ministrore që mbahen nga gratë, ose në gjyqësor ku numri i grave gjyqtare ka arritur në 34,8 %. Megjithatë, ende ka punë për tu bërë. Shohim se vetëm 14,76 % e Policisë së Kosovës janë gra. Ndonëse Kosova ka një grua për Presidente, aktualisht ka vetëm dy gra kryetare komunash dhe asnjë grua që kryeson ndonjë parti politike nga ato tradicionalisht më të mëdha. Gratë janë gjithashtu të nën-përfaqësuara në pozita të larta në bizneset kryesore të Kosovës.
Ekziston një ndërgjegjësim në rritje për rolin thelbësor që luajnë gratë në sektorin e sigurisë. Megjithatë, duhet bërë ende punë për të trajtuar nën-përfaqësimin e grave në institucionet kryesore. Qasja në mundësi të barabarta nënkupton që gratë të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në të gjitha aspektet e jetës publike dhe politike. Duhet të shohim më shumë gra në qeveri, në tryezat e dialogut, në përgatitjet buxhetore, në bordet udhëheqëse të kompanive dhe, realisht, kudo që merren vendime për të ardhmen tonë të përbashkët.