Raporti i OSBE-së vlerëson qasjen e komuniteteve në arsimin parauniversitar në Kosovë
PRISHTINË, 18 dhjetor 2018 - Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi sot një raport përmes së cilit vlerëson qasjen e komuniteteve joshumicë në arsimin parauniversitar në Kosovë. Raporti “Qasja e komuniteteve në arsimin parauniversitar në Kosovë” mbulon periudhën 2014-2017 dhe analizon ofrimin e arsimit në gjuhën e shumicës dhe në gjuhët e komuniteteve.
Raporti thekson se institucionet në përgjithësi u ofrojnë komuniteteve një nivel adekuat të mbështetjes për qasje në arsim. Megjithatë, raporti konkludon se mbetet që të gjindet një zgjidhje e qëndrueshme për ofrimin e arsimit në gjuhën serbe, në përputhje me dispozitat ligjore që përbëjnë bazën për arsim në këtë gjuhë. Raporti lavdëron përkrahjen e ofruar nga institucionet për komunitetet për të mundësuar qasje më të lehtë në arsim, si p.sh. transporti, bursat dhe orët plotësuese. Janë zhvilluar kurrikulat në gjuhën boshnjake dhe atë turke, por nevojiten përpjekje shtesë për të përfunduar zbatimin e tyre, si dhe është vlerësuar pozitivisht ekzistenca e lëndës në gjuhën rome me elemente të historisë dhe kulturës.
“Për komunitetet joshumicë, e drejta për arsim ka kuptim të thellë dhe domethënie të shumëfishtë. Ajo është thellësisht e lidhur me gjuhën dhe identitetin e një komuniteti. Prandaj, arsimi për komunitetet joshumicë është i lidhur ngushtë me përfshirjen e identiteteve të tyre gjuhësore dhe kulturore në kurrikulat formale të arsimit”, tha ambasadori Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Legjislacioni i Kosovës përfshin koncepte ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që kanë të bëjnë me arsimin. Kjo përfshin arsimin në gjuhën e zgjedhur dhe masat institucionale që sigurojnë qasje të barabartë në arsim për të gjithë. Këto janë temat kryesore të raportit që publikojmë sot.”
Sidoqoftë, mbesin disa sfida. Sigurimi i teksteve shkollore në gjuhën boshnjake dhe turke vazhdon të mos jetë i rregullt. Mungesa e transportit të organizuar për nxënësit nga komunitetet joshumicë në nivel komunal mbetet problematike në disa komuna, si dhe ende nuk janë zhvilluar tekste të veçanta për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit që vijojnë mësimin me kurrikulën në gjuhën boshnjake dhe turke. Ende nuk ekziston një zgjidhje e pranuar reciprokisht për arsimin në gjuhën serbe, përkundër dispozitave të avancuara të ligjit të Kosovës që sigurojnë një gjë të tillë. Bashkëveprimi ndërmjet fëmijëve dhe stafit nga dy sistemet është gjithashtu i kufizuar.
Raporti rekomandon që institucionet të ndërmarrin hapa për adresimin e këtyre sfidave gjatë periudhës së ardhshme, si dhe të rrisin angazhimin e tyre në promovimin e dialogut ndërmjet komuniteteve në arsim. Kjo mund të bëhet me miratimin dhe zbatimin e ‘Udhëzimeve për promovimin e dialogut ndër-komunitar përmes arsimit.’
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/406958