Misioni i OSBE-së në Kosovë nis programin ‘Media Fellowship’ për gazetarë të rinj
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot (31 mars 2017) Programin ‘Media Fellowship,’ një nismë vjetore që ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve të rinj dhe themelimin e një rrjeti gazetarësh të komuniteteve të ndryshme.
Në 2017, programi do të përfshijë tetë gazetare të reja dhe gazetarë të rinj nga komunitete jo-shumicë të cilët do të punojnë në çift me gazetarë të njohur, që do shërbejnë si mentor të tyre. Gjatë programit të sivjetmë, i cili fillon në maj e përfundon në nëntor, gazetarët e rinj dhe mentorët e tyre do të kenë mundësinë të trajtojnë tema të rëndësishme duke shkëmbyer praktikat më të mira dhe njohuritë e tyre.
Në qershor, ata do të marrin pjesë në një seminar një-javor në Prishtinë dhe Beograd, ku do të takohen me mediat lokale, institucionet e mediave, profesionistë të respektuar të mediave dhe politik-bërës. Pjesëmarrësit e rinj po ashtu do të kenë mundësinë të shohin nga afër si funksionojnë institucionet e mediave, siç janë Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë, Radio Televizioni i Serbisë, asociacionet e gazetarëve në Kosovë, Komisioni i Pavarur i Mediave, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Radio Televizioni i Kosovës.
Në nëntor 2017, do të mbahet një konferencë përmbyllëse për t’i përfshirë gazetarët e rinj në Grupin Alumni të programit ‘Media Fellowship,” për të inkurajuar bashkëpunimin në të ardhmen. Gjatë konferencës, gazetarët e rinj do të hartojnë një plan veprimi dhe strukturë të projekteve të tyre të ardhshme.