Misioni i OSBE-së në Kosovë trajnon gjykatësit dhe avokatët ta përmirësojnë mbrojtjen e të drejtave të pronës
Një seri prej tri punëtorish të organizuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për 90 gjykatës dhe avokatë nga Kosova, rreth përmirësimit të mbrojtjes së të drejtave pronësore, u përmbyll më 31 tetor në Prishtinë.
Punëtoritë kanë për qëllim rritjen e njohurive të gjykatësve dhe avokatëve se si t’i aplikojnë ligjet relevante dhe standardet ndërkombëtare në rastet që kanë të bëjnë me pronën, përfshirë shpronësimin dhe kompensimin e pronës. Vëmendje e veçantë i është kushtuar Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
"Mbrojtja e plotë e të drejtave të pronës mbetet sfidë në Kosovë. Në rastet e shpronësimit ose ndërhyrjeve tjera në të drejtën pronësore nevojitet të bëhet vlerësim i kujdesshëm i ligjshmërisë dhe interesit publik dhe duhet që të bëhet kompensim adekuat,” tha Këshilltarja për të drejta të njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Silke Nebenführ.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni bën raporte periodike rreth shkallës së respektimit të të drejtave pronësore dhe sfidat që e prekin këtë të drejtë.