OSBE ndihmon në përforcimin e monitorimit të qendrave të paraburgimit në Kosovë
Alban Muriqi ka filluar së fundmi të punoj për Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), një OJQ vendore e përkrahur nga OSBE që punon për të drejtat e njeriut. Ai i monitoron qendrat e paraburgimit për të parë nëse personat e burgosur trajtohen me dinjitet dhe u respektohen të drejtat e njeriut.
Muriqi dhe kolegët e tij, duke përfshirë ekspertë ligjor dhe doktorë, vizitojnë rreth dhjetë Qendra Korrektuese dhe të Paraburgimit në mbarë Kosovën së paku dy here në vit për të parë nëse këto qendra u përmbahen standardeve ndërkombëtare për të drejtat të njeriut.
“Kur shkojmë në një qendër paraburgimi, e takojmë së pari menaxherin pastaj shpërndahemi. Unë i intervistoj disa të burgosur, derisa anëtarët tjerë të ekipit e inspektojnë kuzhinën, e vizitojnë ambulanten dhe i kontrollojnë kushtet themelore, si p.sh. a ka dritë, hapësirë dhe ujë të mjaftueshëm,” thotë Muriqi.
Ai shton se monitorimi është i rëndësishëm për të identifikuar problemet, të cilat pastaj i referohen menaxherëve të qendrave dhe institucioneve tjera relevante, përfshirë edhe ministrinë e drejtësisë.
Respektimi i të drejtave, raportimi i defekteve
Para një viti, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka identifikuar disa mangësi në raport me kushtet nëpër qendrat e paraburgimit të cilat do të mund të përbënin shkelje të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Edhe pse përgjithësisht kushtet janë të kënaqshme, në disa qendra paraburgimi kemi gjetur probleme që kanë të bëjnë me numrin e personave që mbahen në një qeli. Për shembull, në një rast, gjashtë persona mbaheshin në një qeli të paraparë vetëm për tre,” thotë Kirsten Joppe, shefe e Seksionit për Monitorim të Sigurisë në Misionin e OSBE-së. “Shqetësimet tjera kanë të bëjnë me ventilimin e dobët, si dhe tualete dhe banjo të papërshtatshme,” shton ajo.
Për të siguruar se të drejtat e personave në paraburgim respektohen, Misioni tani e ndihmon themelimin e një mekanizmi lokal për monitorim që do të ofroj monitorim të qëndrueshëm dhe afat-gjatë në mbarë Kosovën.
Nxitja e bashkëpunimit
Edhe grupe të tjera në Kosovë monitorojnë objektet e paraburgimit, ashtu si edhe QKRMT-ja. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) po ashtu punon në këtë fushë, kurse Ombudspersoni është i mandatuar me ligj të bëj monitorimin.
Sipas Joppe, përpjekjet për monitorim të këtyre tri organizatave kanë rezultuar me vëmendje më të madhe për qendrat e paraburgimit. Por, ajo vë në pah se puna nuk ishte aq sistematike apo transparente sa mund të ishte. “Nuk dukej se të gjitha qendrat e paraburgimit po monitoroheshin rregullisht apo se aktivitetet monitoruese po koordinoheshin mirë.”
Për të ndihmuar koordinimin e përpjekjeve dhe shfrytëzimin e resurseve, si dhe për të krijuar një qasje të përbashkët për monitorimin e qendrave të paraburgimit, në maj të këtij viti, Misioni i OSBE-së ka mbështetur një marrëveshje të bashkëpunimit në mes të këtyre organizatave.
“Ky ishte hapi i parë drejt themelimit të një sistemi transparent dhe të qëndrueshëm të vizitave të rregullta,” thotë Joppe. Sipas përfaqësuesit të Institucionit të Ombudspersonit Faton Morina, marrëveshja do t’u mundësojë të tri palëve t’i plotësojnë përpjekjet e njëra-tjetrës në mënyrë efektive. “Ne mund të përdorim ekspertizën e tyre, kurse atyre mund tu ndihmojmë përmes të drejtës tone ligjore për vizita të paparalajmëruara,” thotë ai.
Shtrirja e rrjetit
Për të qenë tërësisht funksional, rrjetit do t’i duhet një ‘grup punues’ i përbashkët i cili do të siguroj vizita të koordinuara, ndarjen e detyrave dhe qasje të përbashkët ndaj monitorimit. “Përmes kësaj po ashtu do të sigurohet që asnjë qendër të mos mbetet pa u vizituar.” nënvizon Joppe, dhe shton se tani përpjekjet janë orientuar në këtë drejtim.
Me 27 qershor, Misioni ka organizuar një trajnim tre ditorë për më shumë se 40 pjesëtarë të këtyre tri organizatave. Pjesëmarrësit janë trajnuar në shkathtësitë komunikuese, dhe përmirësimin e aftësive organizative, si dhe në shkathtësitë teknike, si p.sh. teknikat e intervistimit dhe raportimit. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe ekspertë nga rajoni, të ftuar nga Misioni i OSBE-së.
“Këto tri organizata kanë para vetes detyra të rëndësishme për sa i përket strukturimit të përpjekjeve të tyre të përbashkëta, definimit të qasjeve të standardizuara për raportimin dhe përcjelljen e rasteve, si dhe sigurimin e fondeve për aktivitetet e tyre monitoruese,” përfundon Joppe.
Mevlyde Salihu and Nikola Gaon