OSBE ndihmon restaurimin e varrezave ortodokse në Kosovë
Në fshatin Grackë e Vjetër të komunës së Lipjanit në Kosovën qendrore jetojnë rreth 300 banorë, shumica nga ta serb të Kosovës. Fshati ka infrastrukturë të mirë me qendër të kulturës, shkollë të re, qendër sportive si dhe një shtëpi shëndeti. Por, varreza ortodokse e fshatit deri vonë ka qenë një pikë e dobët për banorët e fshatit. Ajo nuk është mirëmbajtur që nga viti 2004, madje edhe është dëmtuar në vitin 2005.
Për shumë njerëz, marrëdhëniet në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë janë ende të tensionuara. Në komunën e Lipjanit të banuar me shumicë shqiptare, nuk ka pasur shumë incidente serioze, por fshatarët nuk janë ndier rehat të shkojnë në varreza për t’i pastruar ato. Pas trazirave të marsit të vitit 2004, shumë njerëz kanë qenë të frikësuar dhe kryesisht kanë qëndruar nëpër lagjet e tyre.
Vonesa e riparimeve
“Komuna ka premtuar ta rregulloj varrezën në vitin 2005, por kjo nuk ka ndodhur”, thotë Lidija Jovanoviq, koordinatore komunale për kthim dhe komunitete. Arsyeja për këtë ka qenë mungesa e fondeve, kështu që varreza është lënë pas dore.
Banorët e Grackës së Vjetër nuk kanë qenë të vetmit që kanë pasur këtë brengë. Një vlerësim i bërë nga ekipet rajonale për komunitete të Misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë verës së vitit 2010 ka nxjerrë si përfundim se në përgjithësi, varrezat ortodokse nëpër Kosovë nuk mirëmbahen.
“Shumica e varrezave nuk kanë pasur rrethojë, kanë qenë të mbuluara me bar të lartë dhe shkurre, madje në disa raste aty janë hedhur edhe mbeturina”, thotë Bekim Uka, nga ekipi për komunitete i OSBE-së në Prishtinë. “Disa varreza nuk janë pastruar që nga viti 1999”.
Veprim i përbashkët
Për ta ndihmuar komunën ta mbaj premtimin e saj edhe për t’iu përgjigjur kërkesave të banorëve, OSBE u bashkua me komunitetin lokal dhe autoritetet komunave dhe financoi një projekt për të pastruar dhe rrethuar varrezën.
Përveç përmirësimit të kushteve të varrezës ortodokse, projekti ka për qëllim të përmirësoj raportet në mes të banorëve të fshatit dhe komunës, si dhe të inkurajoj vullnetarizmin në mesin e pjesëtarëve të komunitetit. “Banorët e fshatit kanë ndihmuar kontraktuesin që ta largojnë rrethojën e vjetër, dhe ta vendosin të renë”, thotë Uka, “dhe kanë qenë posaçërisht aktiv gjatë pastrimit të varrezës”.
Zoran Çirkoviq, së bashku me bashkë-fshatarët e tij, kanë shkuar në hap përtej. “Vendosëm ta shesim rrethojën e vjetër dhe t’i përdorim ato të holla për ta përmirësuar edhe më tej varrezën”, thotë Çirkoviq. “Dhe ishte një ide e shkëlqyer. Me ato të holla arritëm t’i rregullojmë 22 varre të dëmtuara”.
Sipas Ukës, projekti do t’u shërbej edhe zyrtarëve komunal për të kuptuar rëndësinë e vendeve të trashëgimisë kulturore, si dhe përgjegjësinë e tyre për të pastruar dhe mirëmbajtur varrezat tjera. “Me ligj, kjo është përgjegjësi e komunës”, vë në pah ai.
Rezultate pozitive
Radmila Simjonoviq, kryesuese e zyrës komunale për komunitete dhe kthim në Lipjan, thotë se banorët lokal tani e shohin se komuna kujdeset për nevojat e komunitetit dhe është e gatshme të ndërmerr diçka në këtë drejtim. Është shumë me rëndësi për ta që të kenë qasje në varrezë dhe ta ndezin një qiri me dinjitet”, thotë ajo.
Puna në Grackë të Vjetër ka përfunduar kah mesi i janarit të vitit 2011, duke zgjidhur një problem pesëvjeçar. Misioni ka hartuar projekte të ngjashme edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Në Fushë Kosovë, një rrethojë e re është vendosur përreth varrezës ortodokse, kurse në Prizren dhe Pejë puna nëpër varreza është duke vazhduar aktualisht.
Por, puna në restaurimin e varrezave nuk përfundon këtu. Zoran Çirkoviq nga Gracka e Vjetër dëshiron ta sheh kupolën e rindërtuar në pranverë, kurse në Fushë Kosovë, komuna planifikon të pastrojë varrezën e rrethuar së fundmi si pjesë e projektit posa të përmirësohet moti, e pastaj të vazhdoj punën në varrezat e fshatrave tjera që kanë nevojë për restaurimin. Misioni do të vazhdoj ta monitoroj procesin e restaurimit gjatë gjithë vitit.
Nga Mevlyde Salihu dhe Nikola Gaon