Puna e Institucionit të Avokatit të Popullit vazhdon të jap rezultate
“Është një kënaqësi e veçantë kur drejtësia triumfon”, shprehet Ahmet Luta, një 47 vjeçar i cili u ballafaqua me drejtësinë kosovare për gati tri vite rresht.
Ahmeti është një nëpunës në zyrën e regjistrimit civil në Podujevë, komunë që shtrihet në veri-lindje të Kosovës. Ai punon aty që nga viti 1987. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2007, për arsye që kurrë nuk ju thanë, është larguar nga puna.
“Askush nuk më thoshte pse”, vërejti Ahmeti duke shprehur habi. “Për fat të keq mua nuk më mbeti rrugë tjetër pos t’i drejtohem gjykatës, me besimin se drejtësia do të funksionoj”.
Në radhë të parë Ahmeti bëri një padi në gjykatën komunale të Podujevës, por pastaj ai e dërgoj çështjen edhe në gjykatën e çarkut në Prishtinë. “Të dy gjykatat vendosën në favorin tim”, shpjegon Ahmeti, por autoritetet komunale në Podujevë dhe Ministria e punëve të brendshme dështuan në zbatimin e vendimeve gjyqësore për kthimin e tij në vendin e punës.
Meqë nuk i mbeti rrugë tjetër, në tetor të 2009 Ahmeti vendosi ta raportoj rastin në Institucionin e Avokatit të Popullit, si shkelje e të drejtave të njeriut. “U ndjeva aq i zhgënjyer dhe i pa shpresë, saqë përfundimisht humba besimin në institucionet e drejtësisë”, shton ai.
Drejtësi për të gjithë
Fatos Morina, një Këshilltar ligjor me përvojë në Institucion e Avokatit të Popullit u mor me rastin e Ahmetit. Ai ishte befasuar me mënyrën se si ishte trajtuar rasti i Ahmetit. “Mos respektimi i vendimeve gjyqësore nga institucionet e Kosovës ishte i papranueshëm”, thotë ai.
Avokati i Popullit vendosi pa hezitim të merret me rastin e Ahmetit. “Ne menjëherë kontaktuam me Ministrin e punëve të brendshme dhe administratën lokale në Podujevë dhe i inkurajuam ata që ta zgjidhin çështjen në bazë të vendimeve gjyqësore”, thekson Fatoni. U deshën disa muaj lobimi nga Avokati i Popullit, por në janar 2010 Ahmeti përfundimisht u kthye në vendin e tij të punës.
Rasti i Ahmetit është një storie e suksesshme. Megjithatë, Avokati i Popullit mesatarisht pranon 400 raste në vit, por vetëm 40% e vendimeve të tyre zbatohen brenda afatit kohor të përcaktuar me ligj. “Kjo është bukur e vështirë për ne”, thotë Fatoni, “por edhe më e vështirë është për njerëzit. Ne do vazhdojmë tu dalim në ndihmë, të jem avokatët e tyre, dhe të lobojmë për të drejtat e tyre”.
Themelimi i institucionit
Institucioni i Avokatit të Popullit është themeluar nga Misioni i OSBE-së në nëntor 2000. Në maj 2001 filloj së punuari dhe gjatë pesë viteve të para ka qenë i udhëhequr nga një Avokat i Popullit ndërkombëtar, Marek Antonio Nowicki nga Polonia.
Gjatë kësaj periudhe u investua në trajnimin dhe ngritjen e njohurive të stafit. “OSCE ka organizuar një mori sesionesh trajnimi dhe punëtori në fushën e të drejtave të njeriut, të hulumtimit, të argumenteve ligjore, të hetimit dhe përgatitjen e raporteve”, shprehet Jerina Dampier, këshilltare e posaçme e Misionit në Institucionin e Avokatit të Popullit.
“Ne kemi qenë e vetmja organizatë ku në mënyrë të vazhdueshme kemi ofruar një mori shërbimesh për ngritjen e kapaciteteve të Institucionit”, shton Jerina. “Ne ende jemi duke e mbështetur Institucionin dhe strukturat e tij në teren me këshilla dhe trajnime”.
Ruajtja e institucionit nga ndikimet politike
Kalimi i institucionit në duar të autoriteteve vendore nuk ishte aq i lehtë. Nga shkurti 2006 deri në qershor 2009, Kuvendi Kosovës nuk mundi të vendos se kë ta emëroi si avokat të ri të popullit. Pas një serie votimesh me 4 qershor 2009, Sami Kurteshi u zgjodh Avokati i parë i popullit nga vendorët.
Që nga ajo kohë Kurteshi është përpjekur maksimalisht për ta ruajtur Institucionin nga ndikimet politike. Ai pranon se nuk ka qen një detyrë e lehtë. “Shikoni, për shkak të ndikimeve politike dhe vonesave të qëllimshme nga ana e gjykatave në zgjidhjen e rasteve të caktuara, niveli i besueshmërisë në gjyqësi është zvogëluar dukshëm”, thotë ai.
Si pas tij, pjesa më e madhe e ankesave që ai pranon çdo ditë kanë të bëjnë më çështjet procedurale si; stërzgjatja e procedurave, heshtja administrative si dhe mosrespektimi i vendimeve gjyqësore.
Në vitin 2010, Avokati i Popullit ka pranuar gjithsejtë 1,230 ankesa, dhe kjo për Kurteshi nuk është befas. “Avokati i Popullit është këtu në shërbim të njerëzve për t’i mbrojtur ata nga abuzimet e pushtetit. Unë inkurajoj njerëzit e të gjitha komuniteteve që t’i shfrytëzojnë shërbimet tona, pa pagesë”, apelon Kurteshi.
Nga Hasan Sopa dhe Nikola Gaon