Mburoja që mbron: Komisioneri i Kosovës për Gjuhët
Në një shoqëri me komunitete të ndryshme që flasin gjuhë të ndryshme, të drejtat gjuhësore janë qenësore për të rritur tolerancën dhe mos-diskriminimin. Sido që të jetë, zhvillimi i një kulture ku këto të drejta respektohen dhe sigurohen nga institucionet nuk është i lehtë. Kjo është sfida me të cilën është ballafaquar Zyra e Komisionerit për Gjuhët në Kosovë, e themeluar në vitin 2012.
“Ne e monitorojmë situatën me kujdes, nxjerrim rekomandime, përgatisim plane veprimi me qëllim të integrimit sa më të mirë të politikave gjuhësore në legjislacionin aktual dhe atij në procedurë,” thotë Slaviša Mladenović, Komisioner për Gjuhët dhe ish pjesëtar i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Ai pranon se ende ka shumë për tu bërë për të përmirësuar zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Komisionerët për gjuhë janë një fenomen relativisht i ri në botë.
Në vitin 2004, Seán Ó Cuirreáin nga Irlanda ka qenë njëri ndër dy komisionerët për gjuhë në mbarë botën (komisioneri tjetër ka qenë në Kanada) kur filloj të merrej me avokim për të drejtat gjuhësore në vendin e tij. Shtatë vjet më vonë, si pjesë e një iniciative më të gjerë të Misionit të OSBE-së në Kosovë për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat gjuhësore, ai ndihmoi në themelimin e Zyrës së Komisionerit për Gjuhët në Kosovë.
Sot, Ó Cuirreáin sheh përparim në mbrojtjen e të drejtave gjuhësore në Kosovë, edhe pse shumë mangësi mbesin. Përpjekje shtesë duhet të bëhen në përfshirjen e të drejtave gjuhësore në zbatimin e përgjithshëm të legjislacionit, që ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, thotë ai. Sfidat tjera përfshijnë mungesë vetëdijesimi në mesin e komuniteteve për të drejtat e tyre gjuhësore, mungesë mirëkuptimi nga institucionet rreth përgjegjësive të tyre në zbatimin e legjislacionit për gjuhët, dhe mungesë të mekanizmave të qëndrueshëm për të trajtuar mospërputhjet me legjislacionin për gjuhët.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë (2006): Neni 1
1.1 Qëllimi i këtij ligji është që të sigurojë:
(i) Përdorimin e gjuhëve zyrtare, si dhe të gjuhëve të komuniteteve, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare, në institucionet e Kosovës, në ndërmarrje dhe organizata të tjera që realizojnë funksione dhe shërbime publike;
(ii) Status të barabartë të gjuhës shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë, të drejta të barabarta sa i përket përdorimit të tyre në të gjitha institucionet e Kosovës;
(iii) Të drejtën e të gjitha komuniteteve të Kosovës për të ruajtur, mbrojtur dhe promovuar identitetin e tyre gjuhësorë;
(iv) Karakterin shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore.1.2. Në nivelin komunal, gjuhët e tjera të bashkësive, si gjuha turke, boshnjake dhe rome, do të jenë gjuhë në përdorim zyrtar, sipas kushteve të përcaktuara me këtë ligj.
Lexo më shumë në
“Me rëndësi qenësore për identitetin kulturor”
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar me institucionet për të inkurajuar më shumë përparim dhe në korrik të vitit 2015 ka organizuar një trajnim dy-ditor të mbajtur nga Ó Cuirreáin në Pejё, Kosovë perëndimore, i cili, përveç të tjerëve, ka sjellë në një vend Zyrën e Komisionerit për Gjuhët dhe përfaqësuesit e institucioneve të nivelit qendror nga grupi punues për gjuhët i Këshillit Konsultativ për Komunitete, bordin për politika gjuhësore dhe Institutin e Kosovës për Administratë Publike.
“Kjo ishte hera e parë që Misioni i OSBE-së në Kosovë ka trajnuar të gjitha institucionet relevante bashkërisht për detyrat dhe obligimet e institucioneve të nivelit qendror në sigurimin e të drejtave ndërkombëtare gjuhësore të komuniteteve,” tha Sehadin Shok, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Trajnimi ka ngritur edhe vetëdijen e pjesëmarrësve për nevojën për të pasur një sistem funksional për të adresuar brengat dhe shkeljet e të drejtave gjuhësore.
“Të drejtat e tilla janë pjesë integrale e të drejtave të njeriut dhe janë qenësore për identitetin kulturor,” thotë Ó Cuirreáin. “Ndarje të rrezikshme mund të shmangen nëse respektohen të drejtat gjuhësore dhe larmia kulturore. Dështimi për ta bërë këtë shpesh mund të çojë në probleme të ndryshme.”
Ai e sheh Zyrën e Komisionerit për Gjuhët si element qenësor për të ndihmuar institucionet e nivelit qendror dhe lokal të jenë në pajtueshmëri me kërkesat për të drejtat gjuhësore. Për këtë arsye Zyra dhe kapacitetet e saj duhet të shtohen.
Legjislacioni për gjuhët duhet të përdoret si mburojë e jo si shpatë. Megjithatë, nëse legjislacioni nuk zbatohet, atëherë ai mbetet një premtim bosh vetëm në letër dhe nuk ka përparim të vërtetë në demokraci.
Seán Ó Cuirreáin Konsulent për të drejta gjuhësore dhe ish-Komisioner për Gjuhët në Irlandë
Përpjekje të përbashkëta
Komisioneri për Gjuhët Mladenović thotë se Zyra e tij punon vazhdimisht për të informuar institucionet dhe komunitetet për të drejtat dhe obligimet e tyre në fushën e të drejtave gjuhësore, dhe Misioni i OSBE-së u ofron ndihmë të madhe. Ai e përshkruan Misionin e OSBE-së në Kosovë si një ndër akterët më aktiv për të drejtat e njeriut dhe ato gjuhësore dhe si përkrahësin kryesor të Zyrës në monitorimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Disa rezultate pozitive tashmë janë arritur. Pas përpjekjeve avokuese të Zyrës së Komisionerit për Gjuhët, të gjitha dokumentet e regjistrit civil tani janë në dispozicion edhe në gjuhën boshnjake dhe turke përveç në gjuhën shqipe dhe serbe, të cilat janë gjuhë zyrtare në Kosovë.
Darko Dimitrijević, Kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, thotë se hapa të tillë të vegjël tregojnë se Kosova po shënon përparim drejt një shoqërie ku mbrohen të drejtat gjuhësore të të gjitha komuniteteve.
“Nëse institucionet e Kosovës dëshirojnë t’i respektojnë komunitetet dhe t’i trajtojnë si të barabartë, atëherë duhet t’i respektojnë edhe të drejtat e tyre gjuhësore,” thotë Dimitrijević. “Fokusi nuk duhet të jetë në atë se sa i mirë është Ligji për të Përdorimin e Gjuhëve, por sa mirë po zbatohet për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve.”