Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër kontrabandimit me migrantë
“Në shkurt të vitit 2013, kemi marrë informatë se një grup kriminelësh po kontrabandonte migrantë nga Kosova për në vendet e BE-së – përmes Hungarisë si vend transit në Austri si destinacion final. Pas një hetimi tetë-mujor, kemi arrestuar 13 të dyshuar, gjashtë në Kosovë dhe të tjerët në Hungari e Austri,” tregon Toger Behar Balidemaj, Shef i Sektorit për Hetimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës.
“Gjatë këtij operacioni, kemi identifikuar 60 viktima, të cilët kanë arritur në destinacion, por shumica e tyre me vonë janë kthyer,” thotë Balidemaj.
Kontrabandimi me migrantë – problem në rritje
Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon kontrabandimin me migrantë si shkaktim, i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, i hyrjes së personit në Shtetin Palë ku personi nuk është as shtetas e as banor i përhershëm, me qëllim të përfitimit financiar apo përfitimit tjetër material.
Balidemaj thotë se gjithmonë ka pasur lëvizje të njerëzve. Kosova është përdorur si rrugë transit për migrantë por viteve të fundit ka pasur një rritje të rasteve të migrantëve nga Kosova. “Viktimat e kontrabandimit janë kryesisht njerëz të varfër në kërkim të një jete më të mirë në vendet e zhvilluara, dhe ata shpesh shesin pronë ose marrin para hua për të paguar kontrabanduesit.”
“Ata rrezikojnë jetën e tyre në përpjekje për të punuar në vendet e Evropës për shkak të kushteve të vështira ekonomike e sociale, por në këtë proces, janë vetëm grupet kriminale ato që fitojnë. Viktimat shpesh udhëtojnë në kushte çnjerëzore, rrezikojnë të kalojnë kufij në mënyrë ilegale, dhe shpesh kthehen pak pasi të kenë arritur në destinacionin e tyre. Kur kthehen, ata janë në situatë edhe më të keqe se para ikjes - me shumë borxhe për të kthyer.”
2013 – Vit i rekordeve
Këshilltarja për çështje të krimit të organizuar në Misionin e OSBE-së në Kosovë Vesna Vujovic-Ristovska e sheh kontrabandimin me migrantë si problem në rritje, i cili prek jetët e mijëra njerëzve dhe ekonomitë e vendeve ku migrantët kontrabandohen.
“Në Ballkanin Perëndimor, numri i kontrabandimit me migrantë ka kulmuar në 2013, me 40,000 zbulime të kalimit ilegal të kufirit, 27 për qind më shumë se në 2012. Në një moment të caktuar gjatë muajit maj 2013, kufiri në mes të Serbisë e Hungarisë ka përbërë gati gjysmën e kalimeve kufitare ilegale – 43 për qind - në kufirin e jashtëm të BE-së,” thotë ajo.
Ajo shton se viktimat e kontrabandimit me migrantë shpesh mashtrohen nga kontrabanduesit, të cilët u thonë se kanë arritur në destinacion, por në fakt i lënë në një vend krejt tjetër.
“Edhe në rastet kur arrijnë në destinacion, ata trajtohen si fuqi punëtore e lirë, sepse ‘punëdhënësit’ e tyre e dinë në çfarë gjendje janë, kurse herët e vonë ata raportohen në polici ose policia i gjen,” thotë Vujovic-Ristovska.
Bashkëpunimi është qenësor për luftimin e kontrabandimit me migrantë
Kontrabandimi me migrantë ndikon në tërë rajonin dhe përtej, dhe për këtë arsye kërkon bashkëpunim dhe përgjigje të përbashkët nga agjencitë e vendeve të ndryshme për zbatim të ligjit.
Në përpjekje për ta shtuar këtë bashkëpunim, Misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës kanë organizuar një aktivitet në tri faza me përfaqësuesit e agjencive për zbatim të ligjit dhe prokurorive nga Ankaraja, Podgorica, Prishtina, Shkupi, Sofja dhe Tirana.
Në fillim të shtatorit 2014, ata u takuan për të përgatitur një skenar të përbashkët që përfshinte gjurmimin dhe shpartallimin e një rrjeti kriminal të trafikuesve me migrantë. Nga 23 deri më 26 shtator 2014, e mbajtën ushtrimin, kurse me 20 nëntor 2014 u takuan përsëri për të vlerësuar të arriturat dhe lëshimet e vërejtura gjatë ushtrimit.
Sipas skenarit të ushtrimit, dy agjentë të fshehur të Policisë së Turqisë të maskuar si migrantë po kontrabandoheshin nga Turqia për në Bashkimin Evropian përmes Ballkanit Perëndimor nga një grup kriminal i organizuar nga Kosova me lidhje në Turqi. Policia e Kosovës ka pranuar informatë për operacionin e kontrabandimit dhe ka informuar policinë në Turqi dhe të gjitha agjencitë tjera për zbatim të ligjit, me juridiksion përgjatë rrugës nga kanë kaluar kontrabanduesit, për të filluar hetime të përbashkëta. Në fund të ushtrimit, janë identifikuar dhe ndihmuar katër viktima, ndërsa 16 të dyshuar janë arrestuar.
“Ushtrimet e përbashkëta ndihmojnë në bashkëpunim dhe koordinim më të mirë, ndërtim të besimit dhe vlerësimit reciprok, si dhe kuptimin më të mirë të legjislacionit dhe të procedurave në vende të ndryshme,” tha Vujović-Ristovska.
Që nga viti 1999, Misioni ka përkrahur Policinë e Kosovës me trajnime të avancuara dhe të specializuara, dhe me aktivitete tjera për luftimin e krimit të organizuar. Në dy vitet e fundit, Misioni ka mbajtur 35 trajnime për rreth 500 pjesëmarrës.
“Bashkëpunimi është qenësor në luftimin e kontrabandimit me migrantë,” tha Balidemaj. “Rrjeti i kontakteve dhe besimi që ndërtojmë në ushtrime të përbashkëta janë të një rëndësie të veçantë nëse dëshirojmë të kemi sukses.”
“Migrimi ilegal është i rrezikshëm dhe nuk është zgjidhje, dhe njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë. Askush nuk është vetëm, dhe ne zotohemi të vazhdojmë të luftojmë këtë dukuri,” përfundon Balidemaj.