Misioni i OSBE-së në Kosovë trajnon menaxherë të aeroportit, policë dhe doganierë për sigurinë në aeroport
Misioni i OSBE-së ka përfunduar një trajnim pesë-ditor me temë sigurinë në aeroport për menaxherë të aeroportit të Prishtinës, policë e doganierë, i cili u mbajt nga 16 deri më 20 qershor 2014 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Trajnimi, që është udhëhequr nga një ekspert i sigurisë së aeroporteve nga Franca, është përqendruar në metodat dhe teknikat ndërkombëtare për mbrojtjen e udhëtarëve, personelit të fluturimeve dhe aeroplanëve nga dëmtimet aksidentale ose të qëllimshme. Trajnimi ka mbuluar edhe praktikat e mira rreth operacioneve të aeroportit dhe qarkullimin e informative kyçe në mes të ofruesve të sigurisë dhe avio-kompanive.
“Menaxhmenti i aeroportit të Prishtinës përpiqet që të ofrojë siguri për udhëtarët, personelin dhe pajisjet e vet, dhe ky trajnim u ka ndihmuar të shqyrtojnë mënyrat më të mira për ta bërë këtë,” tha John Corrigan, Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Trajnimi po ashtu ka ofruar një mundësi të mirë për të rritur bashkëpunimin në mes të stafit të aeroportit dhe policisë e doganave.”
Pjesëmarrësit janë trajnuar rreth kërkesave ligjore për të përmbushur dhe zbatuar standardet ndërkombëtare të Organizatës Ndërkombëtare për Aviacion Civil, mundësitë dhe kufizimet e pajisjeve të sigurisë, si dhe procedurat e kontrollimit të udhëtarëve dhe bagazhit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ofron trajnime të avancuara dhe specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit.