OSBE-ja mirëpret votimin paqësor në Kosovë për zgjedhjet serbe
DABLIN / VJENË, 21 maj 2012 – Kryesuesi i OSBE-së, Zëvendës Kryeministri i Irlandës Eamon Gilmore, sot mirëpriti votimet paqësore dhe të rregullta në Kosovë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë më 20 maj.
“Unë mirëpres përfundimin e votimeve në Kosovë, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, pas aktivitetit të ngjashëm më 6 maj për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Jam i kënaqur që zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë paqësore dhe të rregullt, me sjellje të përgjegjshme të demonstruar nga gjitha palët.”
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier deklaroi: “Kemi përfunduar detyrën tonë. I dërguam materialet e votimit në Kosovë, si dhe në fund i kthyem në Vranje dhe Rashkë, për numërim nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë. Kemi operuar me 90 vendvotime në gjithë Kosovën, duke i mundësuar votuesve me të drejtë vote të ushtrojnë të drejtën demokratike duke hedhur votat e tyre. Ky është shembull i shkëlqyeshëm i një dialogu pozitiv dhe konstruktiv, me përfshirjen e institucioneve lokale dhe ndërkombëtare, që mund të çojë drejt zgjidhjeve praktike në terren.”
Edhe Kryesuesi edhe Sekretari i Përgjithshëm falënderuan gjithë personelin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, si dhe operacionet tjera fqinje të OSBE-së për gjitha përpjekjet e tyre në javët e kaluara. Ata gjithashtu i shprehën vlerësimin e tyre policisë, KFOR-it dhe EULEX-it për ndihmën dhe mbështetjen e tyre.
“OSBE-ja edhe një herë demonstroi aftësinë e saj që të përballojë sfidat e reja, që të angazhojë gjithë aktorët relevantë dhe të kryejë me sukses një operacion mjaft kërkues në një afat kohor tejet të ngushtë”, përfundoi Kryesuesi.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka rreth 670 punëtorë. Për këtë aktivitet, Misioni ka marrë përforcime nga rreth 300 punëtorë të rekrutuar për afat të shkurtër në vend, si dhe më se 100 punëtorë të OSBE-së të dërguar nga operacionet tjera të Organizatës në Evropën Juglindore.