Kryetari i Radhës i OSBE-së Ian Borg do të vizitojë Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë
VJENË, 7 nëntor — Kryetari i Radhës i OSBE-së, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës Ian Borg do të vizitojë Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nga 10 deri më 13 nëntor.
Ai do ta nisë vizitën në Bosnjë-Hercegovinë, më 10 nëntor. Gjatë vizitës së tij në vend, Kryetari i Radhës do të takohet me ministrin e Jashtëm, Elmedin Konakoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Kolegjiumin e të dy Dhomave të Parlamentit dhe Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto. Kryetari do të mbajë fjalën hyrëse në veprimtarinë për shënimin e 30-vjetorit të nënshkrimit të Kodit të Mirësjelljes së OSBE-së nga Bosnjë-Hercegovina për aspektet politiko-ushtarake të sigurisë. Ai, gjithashtu, takohet me organizatat e shoqërisë civile në Konjiç dhe do të vizitojë Misionin e OSBE-së në Bosnjë-Hercegovinë.
Më 12 nëntor, Kryetari i Radhës Borg do të vizitojë Malin e Zi, ku do të takohet me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviç. Gjatë vizitës së tij, ai do të vizitojë edhe Misionin e OSBE-së në Mal të Zi dhe do të takohet me organizatat e shoqërisë civile.
Pasdite, Kryetari do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Jashtëm, Timço Mucunski. Ai do të marrë pjesë edhe në takimin me Trojkën e OSBE-së, së bashku me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Finlandës. Gjatë udhëtimit të tij, Kryetari i Radhës Borg do të vizitojë, gjithashtu, Misionin e OSBE-së në Shkup dhe do të takohet me organizatat e shoqërisë civile.
Më 13 nëntor, ditën e fundit të vizitës së tij, Kryetari i Radhës Borg do të udhëtojë për në Shqipëri. Ai do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani. Kryetari i Radhës Borg do të vizitojë, gjithashtu, Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe do të takohet me përfaqësues të organizatave të shoqërive civile.
Prezenca e mediave
Në Bosnjë-Hercegovinë, Kryetari i Radhës Borg do t’u drejtohet mediave, më 11 nëntor, nga ora 10:30 deri në 10:45 në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ftesa do të dërgohet nga MPJ.
Në Mal të Zi, Kryetari i Radhës Borg do t’u drejtohet mediave, më 12 nëntor, nga “Villa Gorica”, nga ora 10:00 deri në 10:15. Më shumë detaje dhe ftesa do të dërgohen nga MPJ.
Në Maqedoninë e Veriut, Kryetari i Radhës Borg do t’u drejtohet mediave, më 12 nëntor, nga 17:30 deri në 17:45, në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Do të vijojë ftesa nga MPJ.
Në Shqipëri, Kryetari i Radhës Borg do të flasë për mediat, më 13 nëntor, nga ora 10:15 deri në 10:30, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Deklaratat do të vihen në dispozicion nga MEFA.