Fondi i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup vazhdon ndërtimin e urave midis komuniteteve
SHKUP, 18 shkurt vitin 2016 - Fondi “Ndërtojmë urat” i përkrahur nga OSBE, që filloi në vitin 2014, do të vazhdojë për të tretin vit me radhë, njoftoi Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup Nina Suomalainen.
Fondi ofron grante për komunat, nxënësit, mësuesit, prindërit dhe shkollat për të organizuar aktivitete që sjellin së bashku anëtarët e komuniteteve të ndryshme.
“Gjithsej 75 shkolla dhe më shumë se 2,000 fëmijë janë të përfshirë që nga viti 2014 në aktivitete të ndryshme që kishin për qëllim të sjellin së bashku nxënës nga komunitetet e ndryshme etnike,” ka thënë Suomalainen. “Këto aktivitete janë një mjet i shkëlqyer për të rinjtë për të kuptuar më mirë rëndësinë dhe përfitimet e diversitetit në një shoqëri multi-kulturore."
Fondi “Ndërtojmë urat” është përpjekje e përbashkët nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, qeveritë e Irlandës dhe Zvicrës, si dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.
“Projekti “Ndërtojmë urat” ka për qëllim të krijojë lidhje ndërmjet fëmijëve me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare në mënyrë që ata të mund të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të mësojnë nga njëri-tjetri", deklaroi ambasadori holandez Wouter Plomp. “Kjo është në përputhje me moton e presidencës së Bashkimit Evropian “Krijojmë lidhjet”, të kryesuar nga Holanda për gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi tha: “Multi-kulturalizmi është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë. Të jetosh në një vend ku shumë komunitete funksionojnë, punojnë dhe krijojnë së bashku është një sukses individual për të gjithë ne dhe për vendin në tërësi.”
Artistët e njohur të muzikës Toni Zen, Venera Lumani dhe Rebeka janë në mesin e anëtarëve të Bordit Këshillues të Fondit.
Për shumë informata mbi Fondin “Ndërtojmë Urat", dhe mënyrën se si të aplikoni për grante klikoni këtu Ndërtojmë urat.