Misioni i OSBE-së në Shkup mbështet procesin e rishikimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit
SHKUP, 29 shtator 2015 - Vlerësimi i rolit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) në rritjen e kohezionit social është qëllimi i procesit të shqyrtimit të përkrahur nga OSBE që u prezantua sot në Shkup, i cili fokusohet në anti-diskriminimin, decentralizimin, arsimin, përfaqësimin e barabartë, përdorimin e gjuhëve, si dhe në komunitetet numerikisht më të vogla.
Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Institutit Evropian të Paqes, koordinon punën e gjashtë grupeve punuese tematike me përfaqësues të ministrive dhe institucioneve përkatëse, të cilat përgatisin analiza dhe rekomandime të politikave që do të paraqiten për konsultime të gjera me shoqërinë civile, akademikët dhe partitë politike në fillim të muajit nëntor.
“Politikat e rëndësishme integruese duhen akoma të zhvillohen dhe të zbatohen, dhe ne besojmë se procesi i shqyrtimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit është vendi i duhur për të bërë këtë,” tha Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadorja Nina Suomalainen.
Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri shtoi, “Analiza e procesit të shqyrtimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit do të shërbejë për ndërtimin e politikave që çojnë drejt marrëdhënieve më të mira ndëretnike, si dhe do të kontribuojë për kohezionin social, të cilat janë parakushte për të sjellë vendin më pranë integrimit evropian.”
Procesi i rishikimit të MKO-së është i koordinuar me rekomandimet e Priebe-s dhe Planit veprues të qeverisë mbi prioritetet e reformave lidhur me çështjet ndëretnike. Ky proces poashtu është ndjekur nga afër nga Komisioni Evropian, i cili ka vënë në dukje në raportet e progresit nevojën për të përfunduar shqyrtimin e MKO-së.