Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së i bën thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të sigurojnë mbarëvajtje të zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës
Vjenë, 31 tetor 2013 - Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, u ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që t’i përmbushin zotimet e tyre për zgjedhjet komunale të së dielës në Kosovë dhe ta përdorin autoritetin që të sigurojnë zhvillim të duhur dhe të sigurt të procesit në veri.
Duke folur sot para 57 shteteve anëtare të OSBE-së, Zannier shprehi shqetësime lidhur me situatën e paqartë të sigurisë në veri të Kosovës.
“Personalisht, vazhdoj të jem i shqetësuar për gjendjen e paqartë të sigurisë në terren dhe fushatën e vazhdueshme për bojkot në veri, që përfshin kërcënime ndaj kandidatëve, votuesve dhe personave të angazhuar në procesin e zgjedhjeve. Kjo mund të ketë ndikim negativ në pjesëmarrjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve.”
Ai u tha ambasadorëve se gjatë takimit të djeshëm me kryesim të OSBE-së ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel janë trajtuar një varg çështjesh të rëndësishme. “Dua të shpreh bindjen time se të gjitha palët do t’i përmbushin zotimet e tyre përkatëse, në pajtim me marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel dhe Planin për Zbatim të saj.”
Ai shtoi: “Këto zgjedhje janë me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për popullatën lokale në veri dhe palët e interesit në këtë proces, por edhe për pajtimin dhe normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve në rajon.”
OSBE-ja është duke i lehtësuar zgjedhjet në veri të Kosovës, duke ofruar tërë mbështetjen e nevojshme teknike për të bërë të mundur votimin në katër komuna dhe votimin jashtë Kosovës me postë.