Siguria e pasaportave, në fokus të seminarit të OSBE-së në Shqipëri
TIRANË, 20 nëntor 2012 – Një seminar dyditor për pjesëmarrjen në Drejtorinë e Çelësit Publik të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO PKD), një mekanizëm për verifikimin e pasaportave, përfundoi sot në Tiranë.
Seminari, i cili u organizua nga Njësia kundër Terrorizmit në Departamentin e OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, mblodhi 12 përfaqësues shqiptarë të agjencive të kufirit, regjistrit civil dhe teknologjisë së informacionit, për të mësuar se si ICAO PKD funksionon si një platformë teknike shumëpalëshe, duke i mundësuar punonjësit e kontrollit kufitar të vlerësojnë me efektshmëri karakteret e sigurisë brenda pasaportës biometrike.
“Seminari thekson rëndësinë e një sistemi global të ndëroperueshëm të vlerësimit si PKD-ja”, tha Paul Picard nga Njësia kundër Terrorizit në Departamentin e OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale. “Aktualisht, kjo është mënyra më e mirë dhe më efikase financiarisht për të vlerësuar vërtetësinë e të dhënave biografike dhe biometrike, duke ndihmuar, rrjedhimisht, në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme ndërkufitare”.
Gjatë veprimtarisë, zyrtarët e OSBE-së u takuan me përfaqësues shtetërorë, për të diskutuar më tej bashkëpunimin dhe ndihmën në vënien në zbatim të një sistemi të fortë kombëtar të menaxhimit të identitetit, për të parandaluar pajisen e kriminelëve dhe terroristëve me dokumente të ligjshme identifikimi me emra të rremë.
Nisma e Njësisë kundër Terrorizmit në Departamentin e OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale për të organizuar seminare për PKD-në pason një vendim të Këshillit Ministerial të OSBE-së, në të cilin u bëhet thirrje Shteteve pjesëmarrëse të shqyrtojnë mundësinë e të bërit pjesëmarrës në ICAO PKD. Seminare të tilla janë mbajtur më herët në Uzbekistan, Moldavi dhe Kirgistan. Veprimtari të ardhshme të PKD-së planifikohen të zhvillohen, në muajt në vijim, në Taxhikistan dhe Armeni.