OSBE-ja zhvillon brezin e ardhshëm të instruktorëve për dokumentet e udhëtimit në Tiranë
Nga data 3 deri më 7 qershor 2024, Departamenti i Kërcënimeve Tejkombëtare i OSBE-së (TNTD), në bashkëpunim të ngus htë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi kursin përgatitor për instruktorët në dallimin e dokumenteve të falsifikuara dhe të mashtruesve në pikat e kalimit kufitar, në Tiranë, Shqipëri. Në kurs morën pjesë pesë oficerë, dy gra dhe tre burra, nga Policia e Shtetit dhe ajo Kufitare.
Përgatitja praktike u drejtua nga dy ekspertë të Policisë Kufitare Italiane, që aktualisht shërbejnë si ekspertë dokumentesh në aeroportin Malpensa të Milanos. Pesë pjesëmarrësit kishin përfunduar më parë kurse përgatitore të drejtuara nga OSBE-ja për dallimin e dokumenteve të falsifikuara dhe të mashtruesve, në vitin 2021.
Pjesëmarrësit rifreskuan njohuritë e tyre për llojet e ndryshme të dokumenteve, teknikat e personalizimit dhe të sigurisë, si edhe për standardet ndërkombëtare që përdoren në prodhimin e dokumenteve të udhëtimit. Ata përmirësuan ekspertizën e tyre teknike dhe aftësitë praktike në dallimin e dokumenteve të falsifikuara, përmes ushtrimeve praktike me dokumente udhëtimi dhe dallimin e syresh të vërteta apo të falsifikuara. Pjesëmarrësit fituan përvojë të vlefshme në hartimin e sinjalizimeve për të njoftuar punonjësit e tjerë të kufirit për dokumentet false të dalluara në pikat e kalimit kufitar.
Me mbështetjen e instruktorëve ekspertë, pjesëmarrësit kaluan një ditë të plotë duke artikuluar rolin e një instruktori dhe zhvilluan programe trajnimi për t’u siguruar që këta instruktorë të sapopërgatitur të jenë tashmë të pajisur për të kryer trajnime bazë rreth dokumenteve për kolegët që punojnë në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e mbështet sërish me kënaqësi Njësinë e Sigurisë dhe të Menaxhimit të Kufirit të OSBE-së, në organizimin e kursit të tretë dhe të fundit të përgatitjes për dokumentet e udhëtimit të falsifikuara”, tha Darko Angelov, drejtues i Departamentit për Bashkëpunimin për Sigurinë në Prezencën e OSBE-së. “Përgatitja e instruktorëve nga radhët e profesionistëve të Policisë Kufitare është qasja e duhur për garantimin e qëndrueshmërisë dhe pronësisë institucionale në ofrimin e përgatitjes së vazhdueshme në punë, që është gjithmonë e më e nevojshme rreth tendencave gjithmonë në zhvillim për falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit. Për Shqipërinë, me sektorin e saj të gjallërishëm të udhëtimit, ndërsa shpejt po zë vend si destinacion turistik dhe rrugë kalimi, ndërsa ajo shpesh haset si rrugë kalimi e përdorur për emigracionin e jashtëligjshëm, ky trajnim shumë i specializuar bëhet shumë i nevojshëm”.
Ky cikël përgatitor do të përfundojë me një vizitë studimore në aeroportin Malpensa të Milanos, në nëntor 2024, ku do të ndahen praktikat e mira dhe përmirësohen njohuritë për teknologjitë e reja në dallimin e dokumenteve të falsifikuara dhe të mashtruesve në pikat e kalimit kufitar.
Ky projekt ka në qendër mbështetjen e Shteteve pjesëmarrëse në OSBE dhe të Partnerëve për Bashkëpunim në përpjekjet e tyre për të ulur numrin e personave që arrijnë të kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme kufijtë, duke përdorur identitet të rremë ose të vjedhur apo duke mashtruar.
Projekti dhe veprimtaritë e tij përgatitore mundësohen përmes mbështetjes financiare bujare të Misionit të SHBA-së në OSBE.