OSBE-ja dhe UNODC-ja mbështesin Shqipërinë të godasë financimin e terrorizmit nëpërmjet regjimeve të sanksioneve financiare
Fuqizimi i kapaciteteve të Shqipërisë për të planifikuar dhe vendosur sanksione financiare të shënjestruara ndaj individëve dhe subjekteve që kanë lidhje me grupet terroriste ishte tema e një kursi trajnimi tre-ditor, i cili u përmbyll më 28 prill 2022 në Durrës, Shqipëri. Kursi i trajnimit u organizua bashkërisht nga Departamenti i Kërcënimeve Tejkombëtare OSBE-së dhe Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Njëzet e dy pjesëmarrës nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Policia e Shtetit dhe nga Zyra e Prokurorisë së Posaçme morën informacione rreth regjimeve të sanksioneve në mbështetje të Rezolutave 1267 dhe 1988 të Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe të procedurave përkatëse, si dhe zhvilluan ushtrime për përdorimin e efektshëm të të sipërpërmendurave me anë të bashkëpunimit ndërmjet organeve përkatëse.
Ekipi i Mbështetjes Analitike dhe i Mbikëqyrjes së Sanksioneve ndaj ISIL-it (Da'esh-it), Al-Kaida-s , Talebanëve dhe individëve e subjekteve të lidhura me ta përshkroi mandatin dhe punën e kësaj strukture gjatë një prezantimi me internet.
Ky kurs është i fundit i organizuar në kuadër të programit të trajnimit progresiv për luftën kundër financimit të terrorizmit, organizuar bashkërisht nga OSBE-ja dhe UNODC-ja që prej vitit 2018 në Shqipëri. Programi i trajnimit përfshiu pesë kurse trajnimi për zyrtarët shqiptarë, të cilët u ligjëruan nga një ekip i përzgjedhur instruktorësh vendas. Programi i dha mbështetje Shqipërisë në kuadër të pajtueshmërisë me Rezolutat e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, me standardet e Grupit të Posaçëm për Veprim Financiar kundër Pastrimit të Parave (FATF) dhe me angazhimet e OSBE-së.
Kursi u organizua falë mbështetjes financiare të Shteteve të Bashkuara.