OSBE-ja organizon seminarin për forcimin e qeverisjes efektive të sektorit të sigurisë në Shqipëri përmes partneritetit mes institucioneve të sigurisë dhe shoqërisë civile
Një seminar dyditor për forcimin e qeverisjes efektive të sektorit të sigurisë përmes partneritetit mes institucioneve të sigurisë dhe shoqërisë civile përfundoi më 23 nëntor 2021 në Tiranë.
Veprimtaria u organizua bashkërisht nga Qendra e OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria Federale Austriake e Mbrojtjes. Ajo mblodhi rreth 28 përfaqësues nga institucione të sigurisë, shoqëria civile dhe mediat.
Seminari kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mirëqeverisjen e sektorit të sigurisë. Në të u diskutuan mundësitë dhe sfidat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, me median dhe shoqërinë civile, përfshirë këtu edhe organizatat e grave dhe ato rinore. Rekomandimet nga aktiviteti do të shërbejnë si bazë për të forcuar më tej partneritetin mes institucioneve të sigurisë dhe shoqërisë civile për të garantuar një sektor të përgjegjshëm, efektiv dhe gjithëpërfshirës sigurie, që respekton të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe promovon barazinë gjinore.
Megi Fino, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, tha: “Organizatat e shoqërisë civile shërbejnë si partnere thelbësore për reformën e sektorit të sigurisë në synimin për të forcuar efektivitetin, transparencën dhe integritetin e aktorëve dhe institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, që është e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë”.
“Bota nuk qëndron në vendnumëro. Dixhitalizimi, globalizimi, ngrohja globale, pandemia COVID-19 dhe migrimi i paligjshëm sjellin kërcënime të reja komplekse për sigurinë. OSBE-ja i adreson këto kërcënime edhe përmes nismave si kjo. Siguria dhe qeverisja gjithëpërfshirëse janë qasje që ne nuk i predikojmë, por i jetojmë, çdo ditë”, tha Clarisse Pasztory, zëvendëskryetare e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Seminari ishte pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore “Mbështetje, ngritje kapacitetesh dhe ndërgjegjësim për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë brenda OSBE-së: Faza II”, I cili financohet nga qeveritë e Austrisë, Finlandës, Gjermanisë, Norvegjisë, Sllovakisë dhe Zvicrës.