Përfaqësuesja Speciale e OSBE-së, gjatë vizitës në Shkup, mirëpret përpjekjet e fundit të autoriteteve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore
SHKUP, 26 mars 2015 – Përfaqësuesja Speciale e OSBE-së dhe Koordinatore për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ambasadorja Madina Jarbussynova, në përfundim të vizitës së saj katër-ditore në vend, vlerësoi përpjekjet e autoriteteve vendase, të përkrahura nga Misioni i OSBE-së në Shkup, për të luftuar skllavërinë moderne.
Gjatë vizitës, Përfaqësuesja Speciale zhvilloi takime me zyrtarë të qeverisë, si dhe me përfaqësues të organizatave jo-qeveritare dhe ndërkombëtare.
“Përgëzoj përpjekjet e qeverisë në harmonizimin e legjislacionit vendor në përputhje me standardet ndërkombëtare,” tha Ambasadorja Jarbussynova. “Përveç kësaj, do të doja të inkurajojë autoritetet që të vazhdojnë përmirësimin e identifikimit të hershëm të viktimave, në veçanti në mesin e grupeve të rrezikuara. Ky proces duhet të përfshijë të gjitha palët e interesuara, përfshi inspektorët e punës, policinë kufitare dhe OJQ-ve të cilët shpesh janë të parët në kontakt me viktimat e mundshme.”
Përfaqësuesja Speciale kryen një sërë vizitash të vendeve për çdo vit në mënyrë që të ndajë njohuritë dhe praktikat më të mira në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të ofrojë rekomandime për vendet e vizituara. Kjo ishte vizita e saj e parë në vend, e cila konsiderohet të jetë një vend i origjinës, transitit dhe destinimit të viktimave të trafikimit, sidomos të miturve.
Ajo gjithashtu mirëpriti vullnetin e qeverisë për krijimin e Fondit shtetëror për kompensim. “Kompensimi është pjesë e rëndësishme e procesit të rimëkëmbjes për viktimat. Pronat e fituara në mënyrë kriminale mund të konfiskohen dhe përdoren si burim për kompensimin e viktimave,” tha ambasadorja Jarbussynova.
Ambasadorja Jarbussynova pati takime me Ministren e Brendshme Gordana Jankullovska, Prokurorin e përgjithshëm Marko Zvrlevski, Sekretaren shtetërore pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Koordinatoren kombëtare, Anastasija Ilieska, Raportuesin kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Kontrabandës së Emigranteve, Kiro Todorovski, si dhe zyrtarë tjerë.