Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim të përparuar për vlerësimin e rrezikut për analistët e Policisë së Shtetit

Nga 7 deri më 11 prill 2025, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program trajnimi intensiv për forcimin e aftësive analitike të Policisë së Shtetit. Trajnimi mblodhi analistë nga Njësitë e Analizës së Informacionit në nivel qendror dhe lokal, duke i pajisur ata me aftësi të përparuara në vlerësimin e rrezikut të grupeve kriminale.
Programi synoi rritjen e kapacitetin të analistëve të policisë për të identifikuar, vlerësuar dhe dhënë përparësi kërcënimeve kriminale, me fokus rrjetet e krimit të organizuar që veprojnë në Shqipëri. Nëpërmjet ushtrimeve praktike dhe sesioneve të drejtuara nga ekspertë, pjesëmarrësit mësuan se si të hartojnë produkte cilësore për vlerësimin e rrezikut që mbështesin një policim të bazuar në prova dhe vendimmarrje strategjike.
Kjo nismë është pjesë e mbështetjes më të gjerë dhe afatgjatë të Prezencës së OSBE-së për Drejtorinë e Analizës së Informacionit dhe Arkivit pranë Policisë së Shtetit. Gjatë viteve të fundit, Prezenca ka luajtur një rol kyç në modernizimin e infrastrukturës dhe të metodave analitike të policisë. Një pikë kyçe e kësaj mbështetjeje ishte prokurimi dhe shpërndarja e licencave për softuerin “i2 Analyst’s Notebook”, një mjet kryesor i përdorur ndërkombëtarisht për vizualizimin e të dhënave, analizën e lidhjeve dhe përpunimin e inteligjencës kriminale.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës teknike, Prezenca e OSBE-së ka organizuar programe gjithëpërfshirëse të ngritjes së kapaciteteve, që përfshijnë trajnime bazë dhe të përparuara në analizën e krimit. Këto sesione kanë fuqizuar analistët dhe oficerët e policisë që të përdorin në mënyrë efektive mjetet moderne analitike për krijimin e hartave të kriminalitetit në vend, analizën e tendencave dhe planifikimin operacional.
Këto përpjekje kanë kontribuar ndjeshëm në zhvendosjen e Policisë së Shtetit Shqiptar drejt policimit të udhëhequr nga inteligjenca, duke mundësuar një qasje më proaktive dhe strategjike për të luftuar krimin e organizuar dhe të rëndë.
Nëpërmjet bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet kombëtare, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri rikonfirmon angazhimin e saj për të mbështetur reformat e qëndrueshme të sektorit të sigurisë dhe nxitjen e praktikave profesionale të zbatimit të ligjit në përputhje me standardet ndërkombëtare.