Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Policinë e Shtetit me sesione informative mbi modelin e ri të menaxhimit të burimeve të fshehta
Si pjesë e mbështetjes së saj të gjatë për Policinë e Shtetit Shqiptar në zbatimin e policimit të udhëhequr nga inteligjenca, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seri sesionesh informative mbi modelin e ri të menaxhimit të burimeve të fshehta. Sesionet u zhvilluan nga 7 më 11 prill 2025, në Lezhë, Fier, Elbasan dhe Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të 12 drejtoritë vendore të policisë nga mbarë vendi. Ato u drejtuan nga një ekspert me përvojë të gjerë në zbatimin e ligjit, i kontraktuar nga OSBE-ja dhe një ekspert i Policisë së Shtetit.
Këto sesione shënojnë një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve operacionale të Policisë së Shtetit në menaxhimin e burimeve të fshehta, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Procedurat Standarde Operacionale të miratuara zyrtarisht. Gjatë tyre u ofruan udhëzime praktike për oficerët e policisë, duke u fokusuar në zbatimin praktik të modelit të ri, përshtatur me kontekstin në zhvillim të zbatimit të ligjit në Shqipëri.
Sesionet janë kulmimi i gati një dekade përpjekjesh të përkushtuara nga Prezenca e OSBE-së, që filluan në vitin 2016 me vlerësimet e para të praktikave të menaxhimit të burimeve të fshehta. Pas krijimit të njësisë së dedikuar brenda strukturës të Departamentit të Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në vitin 2020 dhe miratimit zyrtar të Procedurave Standarde Operacionale, në vitin 2023, këto sesione informative e mbështesin më tej konsolidimin dhe zbatimin e modelit të ri.
Duke përforcuar praktikat më të mira dhe standardizuar procedurat në mbarë vendin, nisma e Prezencës së OSBE-së siguron një qasje të qëndrueshme dhe profesionale për menaxhimin e burimeve të fshehta, duke përfshirë më tej Procedurat Standarde Operacionale si kornizë strategjike për policimin në Shqipëri.