Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon oficerët e sigurisë për të rritur sigurinë në shkolla
Me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe të mbrojtjes në shkolla, përmes veprimeve parandaluese, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një sërë trajnimesh për zhvillimin e aftësive ndërpersonale për oficerët e sigurisë në shkollë, në Korçë, Tiranë dhe Shkodër, nga 7 deri më 9 dhjetor 2024.
Këto trajnime u zhvilluan në një moment kyç, duke adresuar nevojën në rritje të Shqipërisë për ndërhyrje proaktive, për të siguruar që shkollat të jenë jo vetëm vende të të nxënit, por edhe mjedise sigurie dhe mbështetjeje. Trajnimi u përqendrua te komunikimi efektiv, zgjidhja e konflikteve dhe qëndrueshmëria emocionale.
Përmes veprimtarive dinamike me role, diskutimeve në grupe dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit fituan aftësi praktike për të trajtuar sfidat e përditshme me vetëbesim dhe kujdes.
Këto trajnime përmbyllën përpjekjet e Prezencës gjatë vitit 2024 për të forcuar sigurinë në komunitet, përmes një qasjeje shumëpalëshe, të fokusuar te parandalimi. Ato plotësuan veprimtari të tjera, si edukimi ligjor për nxënësit e shkollave nëntëvjeçare në të gjithë vendin; sesione informimi mbi parandalimin e krimeve të të rinjve për aktorët e vijës së parë që punojnë me fëmijë dhe të mitur; sesione informimi për parandalimin dhe luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm për oficerët e policisë që punojnë në zonat e nxehta; trajnime të përshtatura për parandalimin e krimeve të të të rinjve për oficerët e policisë dhe mbrojtjes së fëmijëve; dhe fuqizimi i Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike.
Puna e Prezencës për përmirësimin e sigurisë në komunitet do të vazhdojë në vitin 2025 me nisma që do të zbatohen në partneritet me autoritetet shtetërore në nivel vendor e qendror.