Prezenca e OSBE-së përmbyll projektin për Programin Master Ekzekutiv në Kriminologji në Universitetin e Tiranës
Që nga viti 2019, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës kanë punuar intensivisht për ngritjen e Masterit Ekzekutiv në Kriminologji, me synimin për të rritur kapacitetet kërkimore të profesionistëve të drejtësisë penale, akademikëve dhe politikëbërësve në parandalimin dhe luftës kundër krimit në Shqipëri, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe angazhimet e OSBE-së. I nisur në dhjetor 2020, Programi Master synon të rrisë kapacitetet kërkimore të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve për të kuptuar dhe luftuar më mirë krimin, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.
Më 12 dhjetor 2024, Prezenca dhe Universiteti i Tiranës organizuan një ceremoni përmbyllëse, duke mbledhur rreth 160 pjesëmarrës, ndër të cilët staf akademik, studentë dhe donatorë për të reflektuar mbi arritjet e projektit dhe ndikimin e tij në vijimësi.
Programi Master në Kriminologji është programi i parë Master Ekzekutiv në Shqipëri i përfshirë në ciklin e tretë të studimeve. Ai ofron një kurrikulë të integruar të krijuar për rrugë të ndryshme karriere në sistemin e drejtësisë. Programi mbulon temat kryesore të kriminologjisë, duke përfshirë parandalimin e krimit, rehabilitimin e autorëve të veprave penale dhe shkaqet rrënjësore të krimit. Deri më tani, në programin Master janë regjistruar 190 studentë, nga të cilët 52 janë diplomuar tashmë. Pjesëmarrësit vijnë nga fusha të ndryshme, kryesisht nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Ata përfshijnë gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, oficerë policie, avokatë mbrojtës, lektorë të Akademisë së Sigurisë, staf të zyrës së politikave të parlamentit, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të drejtësisë penale.
Një arritje e madhe e projektit është ngritja e një Qendre Kërkimore në Kriminologji, e cila do të forcojë lidhjet akademike dhe kërkimore dhe do të kontribuojë në udhëheqjen e politikave të drejtësisë penale në Shqipëri. Projekti kontribuoi në ngritjen e infrastrukturës dhe i dha Qendrës Kërkimore pajisje zyre dhe kompjuterike. Për të mbështetur plotësisht kapacitetet e Qendrës Kërkimore, projekti mundësoi 30 punime kërkimore në fushën e kriminologjisë për t'u përdorur nga stafi akademik dhe studentët e Masterit.
Përgjatë mbi pesë vitesh pune intensive, Prezenca e OSBE-së u përkushtua për zhvillimin e strukturës dhe kurrikulës për programin Master, trajnimin e stafit akademik, ndërtimin e lidhjeve me institucionet partnere, si dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe burimeve të Universitetit të Tiranës për të ofruar dhe menaxhuar një program kaq kompleks dhe përfundimisht të suksesshëm.
Arritjet kryesore të projektit përfshijnë:
• Krijimin i një kurrikule gjithëpërfshirëse të kriminologjisë me 20 module dhe 120 kredite ECTS;
• Trajnimin e stafit akademik dhe krijimin e mundësive të shkëmbimit me universitete prestigjioze ndërkombëtare;
• Sigurimin e burimeve thelbësore kërkimore, duke përfshirë aksesin online në bibliotekat ndërkombëtare;
• Organizimin e konferencave akademike dhe krijimin e një programi bursash për të mbështetur kërkimin në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme;
• Mbështetjen e studentëve të Masterit me kërkime, botime, shkolla verore dhe programe shkëmbimi dhe lektorë vizitorë.
Karriera në fushën e kriminologjisë është thelbësore në krijimin e një kuptimi më të drejtë shkencor të krimit, politikave publike dhe drejtësisë sociale. Nëpërmjet njohurive teorike dhe përvojës praktike, kriminologët mbështesin dhe forcojnë punën e organeve të zbatimit të ligjit dhe të sistemit gjyqësor e drejtësisë penale. Prandaj, ky projekt kontribuoi edhe në forcimin e bashkëpunimit midis botës akademike dhe praktikuesve të ligjit.
Projekti “Krijimi i Programit Master në Kriminologji” u zbatua nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Ai u mbështet financiarisht nga Byroja e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Misioni i SHBA në OSBE, Ambasada Britanike në Tiranë dhe Qeveria e Italisë.