Prezenca e OSBE-së organizon vizitë kërkimore në universitete amerikane për drejtues dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës lidhur me kriminologjinë
Nga 3 deri më 7 dhjetor 2024, një delegacion i Universitetit të Tiranës realizoi një vizitë kërkimore në dy universitete prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe të burimeve për menaxhimin e Programit Master në Kriminologji.
Gjatë vizitës, e cila u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe me Fakultetin e Drejtësisë, rektori Artan Hoxha, dekania Dorina Hoxha dhe pedagogë të Fakultetit u takuan me staf të lartë dhe profesorë të Universitetit të New Haven, Connecticut dhe John Jay College of Criminal Justice, City University of New York. Delegacioni shqiptar vizitoi edhe Institutin e Shkencave Mjeko-Ligjore “Henry C. Lee”, Senatin e Shtetit Connecticut dhe pati një takim me në Gjykatën e Lartë të Connecticut-it.
Vizita kërkimore kishte për qëllim shkëmbimin e njohurive në kriminologji, forcimin e partneriteteve akademike dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim, përfshirë kërkime të përbashkëta, programe shkëmbimi për pedagogë dhe studentë, si dhe partneritete akademike të tjera të mundshme. Ky udhëtim shënoi fillimin e partneritetit ndërmjet Universitetit të New Haven, John Jay College dhe Universitetit të Tiranës. Gjatë vizitës, u nënshkrua një marrëveshje paraprake mes Universitetit New Haven dhe Universitetit të Tiranës. Një Deklaratë e Interesit të Përbashkët pritet të nënshkruhet ndërmjet John Jay College dhe Universitetit të Tiranës.
Vizita kishte në fokus të veçantë edhe mbledhjen e praktikave më të mira për krijimin dhe funksionimin e qendrave kërkimore brenda universiteteve. Këto njohuri do të mbështesin Qendrën Kërkimore në Kriminologji në Fakultetin e Drejtësisë, e cila do të shërbejë si një qendër për zhvillimin e kërkimeve të qëndrueshme, mbështetjen e Programit të Masterit dhe do të kontribuojë në zhvillimin e politikave të mbështetura në të dhëna.
“Vizita kërkimore ishte një mundësi e çmuar për stafin akademik të Fakultetit të Drejtësisë për të shkëmbyer njohuri në kriminologji, për të forcuar partneritetet dhe për të identifikuar mundësi bashkëpunimi të dobishme për të dy palët. Programi përfshinte diskutime dhe vizita të ndryshme, duke ofruar një platformë për të identifikuar fusha të mundshme për bashkëpunim afatgjatë”, tha drejtuesja e projektit të OSBE-së, Alba Jorganxhi.
Veprimtaria ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Krijimi i Masterit në Kriminologji”. Ajo u mbështetet nga Byroja e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të SHBA-së.
Programi Master, që filloi në dhjetor 2020, ofron një kurrikulë gjithëpërfshirëse të krijuar për të rritur kapacitetet kërkimore për profesionistët, akademikët dhe politikëbërësit në Shqipëri, duke u fokusuar në shkaqet rrënjësore të krimit dhe duke promovuar drejtësinë restauruese dhe reagimet me në qendër viktimat.