Prezenca e OSBE-së organizon trajnimin e dytë simulues për trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri
Nga 19 deri më 21 nëntor 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi trajnimin e dytë të bazuar në simulime për trafikimin e qenieve njerëzore. Gjatë tri ditëve, rreth 50 pjesëmarrës punuan në rastet komplekse të trafikimit që përfshinin vajza dhe gra të pambrojtura të shfrytëzuara për qëllime seksuale dhe fëmijë të shfrytëzuar për veprimtari kriminale.
Trajnimi u fokusua në ushtrime praktike, me shumë agjenci, ku pjesëmarrësit praktikuan kryerjen e intervistave të bashkërenduara me viktimat dhe autorët. Ata, gjithashtu, punuan së bashku për të planifikuar operacionet e shpëtimit dhe hetimet e përqendruara rreth nevojave të viktimave.
Trajnimi i këtij viti, i titulluar “Identifikimi dhe hetimi i trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri”, u ndërtua mbi suksesin e trajnimit të parë në vitin 2021, i cili ishte i pari i këtij lloji në vend, dhe u mbështet nga Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të OSBE-së dhe Koordinatorit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Trajnimi përfshiu një grup të larmishëm profesionistësh, si oficerë policie, prokurorë, punonjës të mbrojtjes së fëmijëve, ofrues të shërbimeve sociale dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjatë tij pati ushtrime me role, me disa pjesëmarrës që vepronin si viktima ose autorë. Trajnuesit ishin profesionistë të rangut të lartë nga Policia e Shtetit Shqiptar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe organizata të shoqërisë civile.
Duke përdorur qasjen “të mësuarit në praktikë” të OSBE-së, trajnimi i lejoi pjesëmarrësit të praktikojnë aftësitë e tyre në një mjedis real, ku trajnerët ofruan reagime të menjëhershme. Qëllimi ishte të sigurohej që këto metoda të integrohen në punën e përditshme të profesionistëve që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.
Përveç fokusimit te trafikimi tradicional, trajnimi trajtoi edhe trafikimin kibernetik, duke i ndihmuar pjesëmarrësit të kuptojnë se si përdoret teknologjia për të lehtësuar trafikimin e qenieve njerëzore. Policia dhe prokurorët bashkëpunuan në hetimet me burime të hapur për të trajtuar trafikimin e lehtësuar nga teknologjia.
Ky trajnim ishte pjesë e projektit të OSBE-së “Forcimi i kapaciteteve trajnuese kundër trafikimit”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegjia dhe Italia.