Roli i medias në zgjedhje, në fokus të seminarit të tretë të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2025, Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan një tryezë teknike të titulluar “Zgjedhjet 2025: Roli i medias në procesin zgjedhor – Sfidat dhe mundësitë”, më 18 nëntor 2024.
Veprimtaria mblodhi organet rregullatore, profesionistë të medias dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar mënyrat për përmirësimin e mjedisit mediatik dhe të mbulimit mediatik të zgjedhjeve.
“Media, e quajtur shpesh si “shtylla e katërt”, luan një rol thelbësor si burimi kryesor i informacionit për shumicën e zgjedhësve. Ajo formëson opinionin publik dhe mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve. Për shkak të kësaj përgjegjësie të madhe, është jetësore që media të respektojë standardet më të larta etike dhe profesionale gjatë mbulimit të proceseve zgjedhore”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, në hapje të takimit.
“Jemi të vetëdijshëm për presionet e jashtëzakonshme me të cilat përballet media në përpjekjet për të siguruar drejtësi, thellësi analitike dhe saktësi në raportim. Për të adresuar këto sfida, Prezenca e OSBE-së mbetet e palëkundur në nxitjen e rregullimit dhe të vetërregullimit të duhur të medias. Këto mekanizma janë thelbësorë për të garantuar që transmetuesit mediatikë të veprojnë në përputhje me standardet më të larta etike”, shtoi ai.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi theksoi rëndësinë e profesionalizmit dhe pavarësisë/paanësisë së medias. “Ka një sërë mekanizmash që e sigurojnë ose do të duhet të sigurojnë pasjen e këtyre karakteristikave për median. Po nëse ky proces nuk është i vetërregulluar ose media (në përgjithësi) vetë nuk e ka këtë qasje, atëherë është me rëndësi që të ketë një aspekt rregullator. Mbetet e rëndësishme që, në çdo rast, media të jetë e tillë që mos jetë në pozitën që do të duhet të thotë ndryshe nga ajo çfarë shikon dhe verifikon, si edhe të mos promovojë atë çfarë nuk do të duhet të promovohet”, tha ai.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen aktorët e medias shqiptare në mbulimin e zgjedhjeve dhe të fushatave zgjedhore. Diskutimet u fokusuan te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke theksuar: zbatimi efektiv i ligjit Për të Drejtën e Informimit; zbatimi i detyrimeve ligjore në lidhje me transmetimin e përmbajtjeve të prodhuara nga partitë në lajme; ndarja e kohës së transmetimit për garuesit zgjedhorë; dhe mungesa e burimeve të mjaftueshme për mbikëqyrjen e plotë nga ana e medias. Përfaqësues të institucioneve publike, profesionistë të medias dhe aktorë të shoqërisë civile paraqitën përpjekjet, perspektivat dhe rekomandimet e tyre për të përmirësuar zbulimin e drejtë dhe etik të zgjedhjeve nga ana e medias dhe për të tejkaluar sfidat e përsëritura.
Këto përpjekje synojnë të sigurojnë që zgjedhësit të kenë akses në informacione thelbësore mbi procedurat zgjedhore, platformat politike dhe kandidatët, duke i fuqizuar ata të bëjnë zgjedhje të informuara.
Diskutimet e seminarit janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar integritetin e procesit zgjedhor. Në fillim të këtij viti, Prezenca dhe KQZ-ja organizuan dy tryeza teknike të fokusuara në edukimin e zgjedhësve dhe shitblerjen e votës. Një tryezë e katërt, mbi fshehtësinë e votës, do të zhvillohet në dhjetor 2024.