Prezenca e OSBE-së në Shqipëri forcon bashkëpunimin me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit Shqiptar në luftë kundër trafikimin të qenieve njerëzore
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka forcuar përpjekjet në luftë kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke organizuar një varg prej gjashtë takimesh në nivel lokal me prokurorë dhe oficerë të policisë gjatë muajve shtator e tetor të këtij viti. Takimet synonin trajtimin e sfidave të lidhura me hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe u drejtuan nga një Task Forcë e specializuar, e ngritur nën një projekt të OSBE-së. Kjo Task Forcë përfshin përfaqësues nga Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Gjatë takimeve, Task Forca parashtroi rekomandime kyçe për të përmirësuar hetimet e trafikimit të qenieve njerëzore, duke u fokusuar në një qasje ndërinstitucionale e me në qendër viktimat. Morën pjesë në këto veprimtari 29 oficerë policie dhe 20 prokurorë, shumë prej të cilëve me role të larta si drejtues rajonalë prokurorie dhe drejtorë policie. Ata zhvilluan diskutime gjithëpërfshirëse, duke ndarë njohuri rreth rasteve komplekse dhe duke identifikuar fushat ku nevojiten përmirësime strukturore në luftë kundër trafikimit.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e krijimit të njësive të dedikuara kundër trafikimit dhe nxitjes së një bashkëpunimi më të fortë ndërmjet agjencive të ndryshme për një hetim më efikas të rasteve, fuqizuar mbledhjen e provave dhe për rezultate më të larta në ndjekjen e tyre penale. Vëmendje e veçantë iu kushtua Vendimit Unifikues të vitit 2022 të Gjykatës së Lartë e Shqipërisë për Trafikimin e Njerëzve dhe Udhëzimit të nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme, i cili përfshin një mekanizëm monitorues për ndjekjet penale të rasteve të trafikimit, sipas rekomandimeve të OSBE-së.
Kjo nismë theksoi nevojën për një njohje më të thelluar të natyrës komplekse të trafikimit të qenieve njerëzore për një mbrojtje më të fuqishme të viktimave dhe për rritjen e kapaciteteve të agjencive ligj zbatuese për parandalimin dhe ndjekjen penale efikase të krimeve të lidhura me këtë fenomen.
Këto takime janë pjesë e fazës së dytë të projektit të Prezencës së OSBE-së të titulluar, “Fuqizimi i kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore”. Ky projekt, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Italia dhe Irlanda, ndjek një fazë të parë të suksesshme që prodhoi një Raport të Detajuar mbi hetimet dhe ndjekjet penale të trafikimit të qenieve njerëzore. Gjetjet nga ky studim janë miratuar nga institucionet brenda Task Forcës dhe në takimet rajonale.